Koalicioni LVV–LDK: Qeveri e përkohshme apo fillimi i përçarjes së LDK-së?

14 korrik 2026 | 16:30

Shkruan: Sadik Zeqiri

Fatkeqësisht, edhe në vitin 2026, Kosova vazhdon të mbetet e bllokuar politikisht. Edhe pas disa proceseve zgjedhore, vendi ende nuk ka institucione të konsoliduara. Kemi një qeveri në detyrë, një ushtrues detyre të Presidentit dhe një Kuvend të pakonstituuar, edhe pse është certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin zgjidhje për problemet e tyre.

Në anën tjetër, vendet e rajonit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Ukraina po avancojnë në procesin e integrimit evropian, ndërsa Kosova vazhdon të humbasë kohë në pazare politike dhe kalkulime partiake. PDK-ja edhe pse ishte e ftuar nga Kurti në bisedime për krijimin e institucioneve, e ka bërë të qartë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë, por ka premtuar se marrëveshjet ndërkombëtare në të mirë të qytetarëve të vendit do t’i mbështesë. AAK-ja ka vendosur kushtet e saj dhe, pas refuzimit të tyre, gjithashtu ka zgjedhur opozitën. Kjo e lë LDK-në si partnerin e vetëm potencial të Vetëvendosjes. Nëse arrihet një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, përfitimi afatshkurtër do të ishte i dyanshëm. Vetëvendosje do të siguronte pushtetin, ndërsa një pjesë e drejtuesve të LDK-së do të siguronin poste ministrore dhe pozita ekzekutive.

Nëse nuk sigurohen votat për zgjedhjen e Presidentit, Kushtetuta e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Në atë skenar, qeveria do të mbetej sërish në detyrë, ndërsa LDK-ja do të hynte në zgjedhje e përçarë, me konflikt të hapur mes atyre që mbështetën koalicionin (Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani) dhe atyre që e kundërshtuan, (Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Gazmend Muhaxheri, Imeri Ahmeti, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi, Janina Ymeri etj etj.

Një LDK e bashkuar është kundërshtar deri diku serioz. Një LDK e ndarë në fraksione është shumë më e lehtë për t’u mposhtur. Prandaj, nëse kjo marrëveshje realizohet, nuk është e paarsyeshme të shtrohet pyetja nëse objektivi kryesor është qeverisja afatgjatë apo dobësimi i kundërshtarit politik. Nëse e shohim me gjakftohtësi, Vetëvendosja në këtë skenar rrezikon shumë pak. Edhe në rast të zgjedhjeve të reja, ajo mbetet në pushtet si qeveri në detyrë. LDK-ja, përkundrazi, rrezikon të paguajë çmimin më të lartë: një përçarje të brendshme, krizë lidershipi dhe një rezultat edhe më të dobët elektoral. Në politikë nuk fitojnë gjithmonë ata që arrijnë marrëveshje. Shpesh fitojnë ata që e detyrojnë kundërshtarin të paguajë koston e marrëveshjes. Nëse ky është plani i Vetëvendosjes, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një negociatë për qeverinë, por me një strategji për ta dobësuar dhe copëzuar LDK-në. Ditët në vijim do të tregojnë nëse ky skenar do të mbetet vetëm analizë apo do të shndërrohet në realitet politik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur sot…