Deklarata skandaloze e ministres serbe, Ahmeti: Është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar ndaj ministres serbe, e cila ka deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Ai ka bërë me dije se kjo deklaratë është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme.
Në profilin e tij në Facebook, Ahmeti ka shkruar se një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale.
“Deklarata e ministres së Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme. Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij”, ka shkruar ai, duke shtuar se ajo spastrimin etnik e sheh si alternativë politike.
Postimi i plotë i tij:
Deklarata e ministres së Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme. Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij.
Të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, kur bota ka parë fëmijë të vrarë, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe dëshmi të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane. Mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI.
Por historia e ka dhënë përgjigjen e saj. Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë.



