Hoxhaj: Kosova, e vetmja në Ballkan që po izolohet

18 korrik 2026 | 17:14

Ish ministri i Punëve të Jashtme, deputeti, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova është e vetmja në Ballkan që po izolohet.

“Dështimet që po sjellin pasoja serioze për Kosovën nuk janë më lajme të reja. Ato janë bërë një model qeverisjeje. Ndërsa vendi mbahet peng nga politika konfrontuese e Qeverisë Kurti, aleatët tanë strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë. Kosova ka humbur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Serbia po e nis të vetin. Ky është një hap prapa me pasoja serioze për interesin tonë shtetëror”, ka shkruar Hoxhaj në ‘Facebook’.

Ai ka theksuar se pasojat e këtyre dështimeve nuk do të mbeten vetëm në diplomaci.

“Ato do të reflektohen në sigurinë tonë, në zhvillimin ekonomik, në investimet e huaja, në sektorin e energjisë dhe në aftësinë e Kosovës për të avancuar drejt integrimit euroatlantik. Në politikën ndërkombëtare, çdo hap prapa krijon avantazh për dikë tjetër”.

“Kosova nuk mund ta lejojë luksin e izolimit. Ne jemi shtet që kemi ndërtuar lirinë dhe pavarësinë në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë perëndimorë. Prandaj, rikthimi i besimit me SHBA-në dhe rivendosja e Dialogut Strategjik duhet të jetë prioritet kombëtar”, ka shkruar Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, po merr pjesë në mbledhjen…