Aleanca zgjedh Kryesinë e re të partisë
Sot, Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) zgjodhi Kryesinë e re të partisë, duke funksionalizuar njëkohësisht edhe organet drejtuese të saj.
Në krye të Aleancës u zgjodh kryetar Ardian Gjini, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Besnik Tahiri, Burim Ramadani, Time Kadriaj, Agim Çeku dhe Smajl Latifi. Sekretar i përgjithshëm u zgjodh Avni Arifi.
Po ashtu, Këshilli i Përgjithshëm bëri themelimin dhe funksionalizimin e organeve të partisë, përfshirë Këshillin e Kryetarëve të Degëve, Këshillin e Nderit, Kolegjiumin e Ekspertëve të Aleancës, Kolegjiumin e Anëtarëve të Kuvendeve Komunale, si dhe Kolegjiumin e Drejtorëve të Aleancës.
Sipas njoftimit, kryesia e re përfaqëson një kombinim të përvojës dhe energjisë së re, me synimin për të udhëhequr me përgjegjësi proceset politike dhe organizative të Aleancës.




