Amir Hoxha apelon për kujdes: Rrezik nga stuhitë edhe në ditët në vijim

22 korrik 2026 | 09:23

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Komunën e Suharekës, Amir Hoxha, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, pas paralajmërimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për mundësinë e përsëritjes së stuhive, erërave të fuqishme dhe reshjeve edhe në ditët në vijim.

Në apelin e tij, Hoxha kërkon nga qytetarët që të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e vetes, familjeve dhe pronës, duke shmangur qëndrimin pranë pemëve të larta, shtyllave elektrike, objekteve të paqëndrueshme, kulmeve dhe reklamave që mund të rrëzohen si pasojë e erës.

Ai u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes të veçantë gjatë qarkullimit në rrugë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, ndërsa qytetarëve u rekomandon të mos u afrohen telave elektrikë të dëmtuar ose të rënë në tokë, por të njoftojnë menjëherë institucionet përgjegjëse.

Po ashtu, Hoxha apelon që të sigurohen objektet në oborre, ballkone dhe tarraca që mund të barten nga era dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme në rast të përkeqësimit të motit, duke ndjekur njoftimet zyrtare të institucioneve kompetente.

Sipas tij, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës është në gatishmëri të plotë për të monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’iu përgjigjur çdo rasti që mund të paraqitet.

Në fund, ai apeloi për bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë qytetarët, duke theksuar se vetëm përmes kujdesit të përbashkët mund të zvogëlohen rreziqet dhe të mbrohen jeta dhe prona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erërat e fuqishme që kanë përfshirë zonën kanë shkaktuar dëme…