KGjK të premten shqyrton kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

22 korrik 2026 | 16:47

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka njoftuar se ka caktuar mbledhjen e radhës për të premten, më 24 korrik 2026, në të cilën në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.

Kjo pikë e rendit të ditës është e nënta nga gjithsej 16 pika, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kujtojmë se u.d. presidentja Albulena Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KGjK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 20 korrik 2026, ka refuzuar tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke ia përcjellë ato u.d. presidentes për lirim nga detyra.

Haxhiu, një ditë më pas, më 21 korrik, ka njoftuar se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët kishin paraqitur dorëheqjet në vitin 2022.

Për vendimin e KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin.

“BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagimin e BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opinionisti Kreshnik Spahiu ka kërkuar që shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë…