Sorensen vizitë të paparalajmëruar te Kurti, diskutohet çështja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë
Anise nuk ishte paralajmëruar ndonjë vizitë e mundshme, emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar të premten në zyrën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në këtë takim, siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, Kurti është pyetur në lidhje me prokurorët dhe gjyqtarët e dorëhequr .
“Duke iu përgjigjur të dërguarit Sorensen lidhur me çështjen e ngritur prej tij për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve e përfshirje të të gjitha komuniteteve. Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit.
Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, diplomati evropian nuk ka dhënë ende ndonjë deklaratë lidhur me këtë takim.
Theksojmë se Nacionale raportoi mbi zhvillimet në lidhje me dorëheqjet e prokurorëve dhe qytarëve serbë.
Disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje përmes deklaratave publike bënë presion ndaj anëtarëve të KGjK-së që të miratojnë dorëheqjet, nën pretendimin se nëse nuk ndodhë kjo, “i shërbejnë Vuçiqit”.
Këtë parafushatë e nisi deputetja e zgjedhur Adriana Matoshi, e cila është e afërt me koordinatoren e politikave në Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe për të cilën është raportuar disa herë se i pranon të gatshme shkrimet prej saj.
Parafushata dhe presioni vazhduan edhe nga Mefail Bajçinovci, Arbreshë Hyseni dhe eksponentë të tjerë të partisë.
Në lidhje me këtë, Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, duke kërkuar që të ndalet presioni ndaj KGJK-së para vendimit të së nesërmes.
“Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Kosovë”, thuhet, ndër të tjera, në reagimin e BE-së.
Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat veç e veç, reaguan edhe për votimin në KPK dhe dekretin e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për pranimin e dorëheqjeve të serbëve që punonin në prokurori dhe që ishin dorëhequr rreth katër vjet më parë. Pra, bëhet fjalë për dorëheqje që kishin qëndruar në sirtarë për vite të tëra.



