Kurti nga vendi ku u vra polici Enver Zymeri: Drejtësia do të veprojë, asnjë kriminel s’do të mbetet pa u ndëshkuar
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe te lapidari në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potokut, ku u është drejtuar policëve të pranishëm, duke theksuar se të gjithë zyrtarët shtetërorë duhet ta marrin heroin Enver Zymeri si shembull të sakrificës dhe vetëmohimit.
Ai ka bërë homazhe së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Nga aty, Kurti është shprehur se asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbetet i pandëshkuar.
“Është një obligim i yni që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë, për nga sakrifica dhe vetëmohimi. Sot gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht falë Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë për të gjithë, pa dallim. Sot janë bërë 15 vjet nga rënia heroike e Enver Zymerit. Njëkohësisht, këtu shënojmë edhe 20-mujorin e hedhjes në erë të kanalit Ibër-Lepenc, i cili furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Republikës sonë, si dhe termoelektranat në Obiliq, të cilat na furnizojnë me energji elektrike. Për rastin e dytë, siç e dimë, tre persona janë në burg dhe ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor. Ndërkaq, për urdhërdhënësit dhe autorin e vrasjes së Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, herët a vonë drejtësia do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbetet i pandëshkuar. Prandaj, edhe prokuroria e gjyqësia jonë e kanë mbështetjen tonë dhe përgjegjësinë për ta kryer detyrën e tyre”, u shpreh ai.
Gjatë ditës, Kurti ka bërë homazhe edhe te lapidari i policëve të rënë në detyrë në Prishtinë, si dhe ka vizituar familjet e policëve të rënë në krye të detyrës. Lavdi Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të rënë. /KosovaPress



