Sillen në gjykatë Shabani dhe Qerimi, vazhdon gjykimi ndaj tyre

27 tetor 2026 | 13:38

Dy të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, janë sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të vazhdojë gjykimi ndaj tyre.

Gjykimi ndaj Shabanit dhe Qerimit kishte nisur rishtazi, pasi të dy të akuzuarit ishin deklaruar sërish të pafajshëm për akuzat për spiunazh.

Në seancën e 9 tetorit, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Beqiri, kishte njoftuar se, për shkak të afrimit të datës së pensionimit të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, ai do të zëvendësohej nga gjykatësja Donika Shala-Abdyli. Për këtë arsye, gjykimi kishte nisur rishtazi.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit as gjatë seancës fillestare të mbajtur më 17 mars 2025. Qerimi e ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Shabanit dhe Qerimit më 19 shkurt 2025, për veprën penale të spiunazhit. Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, raporton “Ekonomia Online”.

Sipas aktakuzës, Shabani dhe Qerimi dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA) për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Në aktakuzë përshkruhet se të akuzuarit kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-komandant të Policisë së Serbisë, i cili kishte udhëhequr operacionin policor-ushtarak gjatë njërës prej masakrave të kryera në Kosovë gjatë luftës.

Shabani dhe Qerimi akuzohen se këto informacione i kanë transmetuar edhe përmes telefonave dhe postës elektronike.

Të dy përballen me akuzën për spiunazh, ndërsa Muharrem Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Sali Berisha, ka…