Agim Ademi pret në takim anëtarin e parë të Kryesisë së FFK-së, Enver Nuredinin
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka pritur në takim anëtarin e Kryesisë së parë të FFK-së, Enver Nuredinin, i cili jeton dhe vepron në Angli.
Ademi ka thënë se gjatë takimit kanë diskutuar për sfidat e asaj kohe, përkushtimin e brezit që hodhi themelet e futbollit të pavarur të Kosovës dhe rrugëtimin e FFK-së ndër vite.
Ai ka vlerësuar kontributin e brezave të parë në zhvillimin e futbollit kosovar, duke theksuar se rrëfimet e tyre janë frymëzuese për rrugën që ka ndjekur federata deri në ditët e sotme.
Gjatë vizitës në objektin e FFK-së, Nuredini e ka përgëzuar Ademin për punën e bërë, progresin dhe rezultatet e arritura nga futbolli i Kosovës në vitet e fundit. Ai ka shprehur kënaqësinë për zhvillimin dhe avancimin e federatës, duke vlerësuar rrugëtimin e saj në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij, Ademi i ka dhuruar Nuredinit një fanellë të veçantë të FFK-së.
“Faleminderit Enver Nuredinit dhe bashkëkohanikëve të tij për gjithçka që kanë bërë për futbollin e Kosovës. Dyert e FFK-së do të jenë gjithmonë të hapura për njerëzit që kanë shkruar historinë e saj”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.



