Përse Marc Cucurella i mban gjithmonë flokët e lëshuar? Arsyeja prekëse lidhet me djalin e tij me autizëm

29 korrik 2026 | 11:41

Mbrojtësi spanjoll, Marc Cucurella, ka zbuluar historinë emocionuese që fshihet pas një prej tipareve të tij më të njohura, flokëve të gjatë kaçurrela, të cilët nuk i lidh kurrë gjatë ndeshjeve.

Arsyeja lidhet me djalin e tij, Mateo, i cili është diagnostikuar me autizëm.

Sipas futbollistit, flokët e lëshuar e ndihmojnë djalin ta njohë më lehtë në fushë, duke i dhënë një ndjenjë sigurie gjatë ndeshjeve.

Në një intervistë dhe dokumentar, Cucurella foli me emocione për sfidat që ai dhe partnerja e tij, Claudia Rodriguez, kanë përjetuar pas diagnozës së Mateos.

Ai pranoi se si prindër nuk ishin të përgatitur për një situatë të tillë dhe u është dashur të mësojnë gjithçka nga e para për autizmin dhe nevojat e djalit të tyre.

Një nga momentet më të vështira për familjen ishte periudha kur Mateo ndiqte një shkollë të zakonshme.

Sipas Cucurellës, djali kthehej shpesh në shtëpi duke qarë, ndërsa në disa raste prindërit detyroheshin ta merrnin vetëm pak orë pasi kishte hyrë në mësim.

Edhe partnerja e tij ka treguar se shpesh largoheshin nga shkolla me lot në sy, duke e parë sa i vështirë ishte përshtatja për të.

Çifti zbuloi gjithashtu se pas diagnozës nuk morën mbështetjen e nevojshme dhe u detyruan të informoheshin vetë për mënyrën më të mirë të kujdesit ndaj Mateos.

Për këtë arsye, çdo vendim familjar nga pushimet, shkolla, terapitë e deri te transferimet e mundshme në karrierën e Cucurellës merret duke pasur në qendër mirëqenien e djalit të tyre.

Futbollisti ka treguar se, sa herë një klub shfaq interes për ta transferuar, familja fillimisht verifikon nëse qyteti ofron shkolla dhe shërbime të përshtatshme terapeutike për Mateon.

Ai theksoi se familja është gjithmonë prioriteti i tij dhe se vetëm kur ata janë mirë, ai mund të japë maksimumin edhe në fushë.

Marc Cucurella dhe Claudia Rodriguez, të cilët janë gjithashtu prindër të Rio dhe Bella, thonë se Mateo ua ka ndryshuar plotësisht mënyrën se si e shohin jetën.

Futbollisti shprehet se çdo hap i vogël përpara që bën djali i tyre u sjell një gëzim të jashtëzakonshëm dhe shpreson që, duke ndarë historinë e familjes së tij, të inkurajojë edhe prindërit e tjerë që po rrisin fëmijë me autizëm

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një anketë e realizuar këtë vit nga Departamenti i Inxhinierisë…