Florentino Perez ‘jackpot’ për Real Madridin, klubi arrin rekord historik të të ardhurave
Real Madridi vazhdon të thyejë rekorde jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në aspektin ekonomik.
Nën drejtimin e presidentit Florentino Perez, klubi madrilen ka arritur shifra historike financiare, duke u konfirmuar si një prej institucioneve sportive më të fuqishme në botë.
Real Madridi e ka mbyllur sezonin 2025/26 me të ardhura rekord prej 1.221 miliardë eurosh, 3.1 për qind më shumë krahasuar me sezonin e kaluar, pa përfshirë të ardhurat nga shitjet e lojtarëve.
Sipas klubit madrilen, kjo është hera e parë që një klub sportiv kalon shifrën prej 1.2 miliardë eurosh të ardhura operative.
Vetëm gjatë sezonit 2025/26, Real Madridi ka ndarë rreth 161 milionë euro për pagat e lojtarëve, ndërsa klubi pritet të vazhdojë investimet në skuadër edhe në edicionin 2026/27, me synimin për të konkurruar në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Ky rezultat përbën një tjetër sukses për presidentin Florentino Perez, i cili gjatë viteve të fundit ka transformuar modelin ekonomik të klubit.
Rritja e të ardhurave është ndikuar veçanërisht nga shfrytëzimi i stadiumit të rinovuar “Santiago Bernabeu”, si dhe nga marrëveshjet e reja të marketingut dhe sponsorizimeve.
Infrastruktura e rinovuar e stadiumit ka sjellë një rritje të ndjeshme të të ardhurave, ndërsa klubi vazhdon të investojë në skuadrën e futbollit dhe në projekte të reja biznesi, me synimin për të ruajtur konkurrueshmërinë në nivelet më të larta.
Me këtë bilanc financiar, Florentino Perez vazhdon të forcojë trashëgiminë e tij në krye të Real Madridit, duke e konsoliduar klubin jo vetëm si një fuqi të madhe sportive, por edhe si një prej gjigantëve ekonomikë të futbollit botëror.



