Në Prishtinë hapet “Panairi i Gruas”
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me GIZ-in ka organizuar në Prishtinë “Panairin e Gruas”, përmes të cilit synohet që të mbështeten gratë ndërmarrëse.
Aktiviteti mblodhi dhjetëra gra që prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre, duke shërbyer si një platformë për fuqizimin ekonomik të grave, promovimin e bizneseve të tyre dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se pa i ndihmuar gratë qoftë në biznes apo prodhim, Kosova nuk mund të ketë zhvillim të plotë.
“Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me GIZ-in kanë organizuar këtë panair për t’ju dhënë mundësi edhe komunitetit të grave që të tregojnë produktet e tyre, sepse pas çdo produkti fshihet një inovacion, fshihet një punë e madhe që është bërë për ta krijuar atë produkt. Dhe ne si Odë Ekonomike e Kosovës e vlerësojmë rolin e gruas në zhvillimin ekonomik të vendit. E kemi kuptuar që pa i dhënë hapësirë dhe pa i ndihmuar gratë në biznes, në prodhim, në shërbime dhe në tregti nuk do të mund të kemi zhvillim të plotë”, ka thënë Rafuna.



