Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për veprimtari kriminale dhe planifikim të vrasjes

30 korrik 2026 | 16:20

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë të pandehurve, A.H., D.R., D.M., F.Q., Sh.K. dhe R.B., për disa vepra penale.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës dhjetor 2024 – shkurt 2025, të pandehurit, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, dyshohet se kanë planifikuar dhe ndërmarrë veprime për kryerjen e vrasjes së rëndë të një personi.

Po ashtu, ata dyshohen se kanë planifikuar sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit, me qëllim të shkaktimit të dëmit material, frikësimit të viktimave dhe demonstrimit të fuqisë së grupit kriminal.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se secili prej të akuzuarve dyshohet se ka pasur rol të caktuar në realizimin e planit kriminal, i cili është parandaluar si rezultat i veprimeve hetimore.

Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskomandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneral…