Sadiku: Kushdo që e merr udhëheqjen e LDK-së, të jetë opozitë e zëshme ndaj pushtetit të LV-së
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku, është deklaruar pak orë para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.
Sadiku është shprehur se LDK-ja duhet të jetë proaktive dhe një opozitë e zëshme ndaj pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht se kush do ta marrë drejtimin e partisë.
Ai ka thënë se procesi i ndryshimit të udhëheqjes së partisë është demokratik dhe se delegatët duhet të votojnë në përputhje me bindjet e tyre.
“Sot, partia që më dha mundësinë të garoj për deputet dhe të cilën e kam zgjedhur për shkak të bindjeve të mia ideologjike, po kalon nëpër një proces të rëndësishëm, por thellësisht demokratik. Një pjesë e delegatëve kanë kërkuar ndryshim në udhëheqjen e partisë, përkatësisht largimin e kryetarit. Kjo nuk është diçka e pazakontë. Përkundrazi, është një proces normal që ndodh në shumë demokraci evropiane, ku drejtimi i partisë vendoset nga vullneti i delegatëve”, është shprehur Sadiku.
Ai u ka bërë thirrje delegatëve që të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe vizionit që secili kandidat paraqet për të ardhmen e LDK-së.
“Me aq zë sa kam si deputet, i ftoj dhe i lut të gjithë delegatët që të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe sipas vizionit që secili kandidat paraqet për të ardhmen e LDK-së”, ka shtuar Sadiku.



