MINTI: ARBK-ja publikon vetëm të dhënat që ligji i përcakton si publike

31 korrik 2026 | 12:21

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka reaguar pas shqetësimeve të shprehura ditë më parë nga biznese të ndryshme lidhur me publikimin e të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Në një deklaratë, MINTI ka thënë se publikimi i të dhënave nga Regjistri i Bizneseve bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ka për qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike në veprimtarinë ekonomike.

“Regjistri i Bizneseve është regjistër publik, i krijuar dhe i administruar për të garantuar transparencën e veprimtarisë ekonomike, sigurinë juridike në qarkullimin tregtar dhe për të mundësuar qasjen në informacionet që, sipas ligjit, kanë karakter publik”, është thënë në reagimin e MINTI-t.

Sipas MINTI-t, publikimi i të dhënave mbështetet në Ligjin për Shoqëritë Tregtare dhe bëhet duke respektuar edhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“ARBK thekson se publikon vetëm ato të dhëna të cilat legjislacioni i përcakton si të dhëna publike. Të dhënat personale ose informacionet e tjera që nuk janë të destinuara për publikim mbrohen dhe trajtohen në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nuk bëhen pjesë e qasjes publike”, është thënë në reagim.

MINTI ka bërë të ditur se qëllimi i publikimit është lehtësimi i verifikimit të statusit juridik të bizneseve, forcimi i sigurisë juridike në marrëdhëniet ekonomike dhe rritja e besueshmërisë në të bërit biznes.

“Qëllimi i publikimit të të dhënave është të rritet transparenca dhe besueshmëria e të bërit biznes, të lehtësohet verifikimi i statusit juridik të subjekteve afariste, të forcohet siguria juridike në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare”, është thënë në deklaratë.

Në fund, MINTI ka ftuar bizneset dhe qytetarët që të dhënat publike nga regjistri i bizneseve t’i përdorin vetëm për qëllime të ligjshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të personave fizikë dhe juridikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri 46-vjeçar, Xavi Hernandez, është përfshirë në planet e Al-Ahli…