Ushtria shqiptare pajiset me 40 mjetet e para taktike “Made in Albania”

31 korrik 2026 | 14:55

Ushtria shqiptare është pajisur me 40 mjetet e para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, nga kompania “Timak Defence”, ku pronar është edhe shteti shqiptar.

Në ceremoninë e dorëzimit, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë një hap të rëndësishëm për industrinë ushtarake shqiptare, duke thënë se vendi po hyn në një fazë të re të prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes.

Rama ka thënë se objektivi është që deri në vitin 2028 Forcat e Armatosura të kenë të gjitha mjetet dhe kapacitetet sipas standardeve të NATO-s. Ai nuk e ka përjashtuar as mundësinë që Shqipëria të pajisë me prodhime “Made in Albania” edhe ushtrinë më të fuqishme të botës, atë amerikane.

“Brenda 2028, ushtria shqiptare do t’i ketë të gjitha mjetet, të gjitha kapacitetet, që nga makina më e lehtë, deri te armët më të sofistikuara. Do të ketë flotë të madhe mjetesh sipas standardeve të NATO-s, për numër forcash, për kilometër për territor, do të jetë e pajisur me shumëçka tjetër që ka nisur të projektohet dhe prodhohet në vend. Mos u çudisni të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu që do t’ia japim edhe ushtrisë më të madhe të botës, ushtrisë amerikane. Parafytyroni një ushtar të ShBA-së me prodhime ‘Made in Albania’. Kush do ta kishte imagjinuar sikur t’jua thoshin deri pak vite më parë. Kjo është Shqipëria tjetër që ne kemi ndërtuar dhe do të nisë të japë lloje të tjera rendimentesh dhe produktesh, duke pasur këtu parasysh industrinë ushtarake”, ka thënë Rama.

Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se aktualisht po prodhohen edhe 14 automjete të reja zjarrfikëse.

“14 zjarrfikëse të reja po prodhohen nga TIMAK. 14 zjarrfikëse ne nuk i kemi bërë dot bashkë në 14 vite, kur e morëm Shqipërinë pa zjarrfikëse. Sot kemi një flotë zjarrfikësesh, por të pamjaftueshme”, ka theksuar Rama.

Kryeministri ka thënë se mbrojtja e samitit të NATO-s në Tiranë do të bëhet me dronë inteligjentë, ndërsa ka bërë të ditur se Shqipëria do të pajiset me sistemin më të sofistikuar të mbrojtjes kundërajrore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Ermira Bytyçi, ka reaguar…