Sonte në orën 18:00 takimi i ri, ku e kishin lënë muhabetin Kurti e Abdixhiku pas takimit në korrik?

04 gusht 2026 | 16:47

Albin Kurti fliste për një “ndërmarrje të madhe e të gjerë” me LDK-në, ndërsa Lumir Abdixhiku e cilësonte si “hap të mbarë” takimin e fundit mes tyre më 10 korrik. Të dy liderët do të takohen sot në orën 18:00 në Kuvend, për t’i vazhduar bisedimet për formimin e institucioneve të reja.

Bisedimet e pezulluara në mes të korrikut pritet të rifillojnë pas mbijetesës së Abdixhikut ndaj një votëbesimi në LDK. Më 30 korrik, ai u konfirmua sërish në krye të partisë dhe paralajmëroi se dialogun me Kurtin do ta vazhdonte “aty ku kanë mbetur”.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut, ku ishte e pranishme edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, ishte zhvilluar më 10 korrik. Pas tij, Kurti kishte shprehur optimizëm dhe kishte folur për një “atmosferë konstruktive”, duke theksuar se ishin diskutuar edhe hapat për konstituimin e institucioneve.

Kurti kishte deklaruar se palët kishin diskutuar për koncepte, parime, orare dhe funksione, duke e përshkruar bashkëpunimin e mundshëm si një “ndërmarrje të madhe e të gjerë” që kërkon besim dhe mirëbesim. Megjithatë, ai kishte bërë të qartë se në atë fazë nuk kishte një marrëveshje konkrete.

Në anën tjetër, Abdixhiku e kishte cilësuar takimin si “hap të mirë” dhe kishte theksuar se shmangia e zgjedhjeve të reja ishte e domosdoshme për stabilitetin institucional të Kosovës.

Sipas tij, LDK-ja ishte e gatshme të diskutonte për një marrëveshje në interes të Republikës së Kosovës, por pa hyrë ende në emra konkretë apo ndarje postesh. Ai kishte thënë se diskutimet ishin përqendruar te parimet dhe vlerat mbi të cilat do të duhej të ndërtohej një marrëveshje.

Abdixhiku kishte theksuar gjithashtu se ishte e rëndësishme që dialogu të zhvillohej para ndërmarrjes së hapave të njëanshëm për formimin e institucioneve, duke e cilësuar këtë si një element që i jepte shpresë procesit.

Pas votëbesimit në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se rezultati përbënte konfirmim të rolit të partisë në përpjekjet për stabilitet institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

LDK-ja miratoi gjithashtu një deklaratë përmes së cilës kërkoi që të gjithë anëtarët, zyrtarët dhe përfaqësuesit e saj të respektojnë vendimet e organeve kompetente të partisë. Abdixhiku deklaroi se, në rast të arritjes së një marrëveshjeje të mirë, ai pret që deputetët e LDK-së ta mbështesin atë.

Ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit pritet të mbahet pasnesër në orën 10:00. Pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, pritet të nisë edhe procedura për zgjedhjen e presidentit të vendit, e cila duhet të përfundojë brenda 60 ditësh.

Pikërisht pamundësia për zgjedhjen e presidentit ishte një nga arsyet që çoi vendin në zgjedhjet e 7 qershorit, të tretat brenda rreth një viti e gjysmë. Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Abdixhikut pritet të tregojë nëse bisedimet e nisura në korrik do të sjellin një marrëveshje konkrete apo nëse Kosova do të përballet sërish me një ngërç institucional.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Juventusit nuk ka hequr dorë nga transferimi i…