PDK-ja: Kurti zgjodhi sërish bllokadën dhe shpërfilli aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas dështimit të seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vazhdim të bllokadës institucionale.
Në një komunikatë për media, PDK-ja ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit është në kundërshtim me frymën dhe detyrimet e përcaktuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Seanca e sotme dëshmoi qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave apo e mungesës së votave, por rezultat i një zgjedhjeje politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”, është thënë në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, nuk ka pasur arsye që të mos propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe të procedohej me votimin për konstituimin e institucionit më të lartë ligjvënës.
“Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë në aktgjykimin e saj se Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, është thënë në reagimin e PDK-së.
Partia ka vlerësuar se mosveprimi i sotëm përbën, sipas saj, shpërfillje të rendit kushtetues dhe të detyrimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë të mbajë peng institucionet e Republikës për interesa partiake”, është thënë në reagimin e PDK-së.
Në fund, PDK-ja ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe të mundësojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.



