Ambasada e ShBA-së: Ngërçi politik po i kushton Kosovës, institucionet të formohen sipas Kushtetutës

06 gusht 2026 | 15:56

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për “Express”, ambasada ka theksuar se qytetarët presin nga udhëheqësit politikë të veprojnë në interes të vendit.

“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, është thënë nga Ambasada e ShBA-së.

Ambasada ka paralajmëruar se ngërçi politik po i shkakton dëme Kosovës dhe u ka bërë thirrje liderëve që t’i japin përparësi stabilitetit dhe progresit.

“Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, është theksuar në përgjigjen e Ambasadës së ShBA-së.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht në orën 23:59, ndërsa seanca konstituive u ndërpre pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka…