‘Zbulohet’ reagimi i Jose Mourinhos, pasi Rodri e refuzoi Realin
Jose Mourinho thuhet se mbeti i befasuar kur mësoi se Rodri nuk do t’i bashkohej Real Madridit, pavarësisht se konsiderohej si përforcimi kryesor për mesfushën e skuadrës.
Mesfushori i Manchester Cityt ishte lidhur për një kohë të gjatë me një transferim në “Santiago Bernabéu”, por së fundmi ka dhënë dritën jeshile për t’iu bashkuar Barcelonës.
Sipas raportimeve, Rodri ka njoftuar personalisht drejtuesit e Real Madridit për vendimin e tij, ndërsa klubi madrilen nuk e ka përjetuar negativisht refuzimin, pasi kishte dyshime nëse lojtari ishte plotësisht i bindur për transferimin.
Mediumi spanjoll SPORT raporton se Mourinho e kishte konsideruar Rodrin si pjesën e fundit të projektit të tij, duke insistuar vazhdimisht për afrimin e një mesfushori defensiv dhe një qendërmbrojtësi.
Madje, sipas të njëjtit burim, ai i kishte bërë të ditur Eduardo Camavingas se mund të largohej nga klubi nëse transferimi i Rodrit realizohej.
Raporti shton se edhe futbollistët e Real Madridit prisnin ardhjen e Rodrit dhe mbetën të surprizuar nga ndryshimi i vendimit të tij.
Mourinho thuhet se ka reaguar me pakënaqësi në bisedat me drejtuesit e klubit, pasi është informuar se Real Madridi nuk planifikon të transferojë një mesfushor tjetër këtë verë.
Edhe MARCA raporton se klubi madrilen nuk do të bëjë më përforcime në mesfushë gjatë këtij afati kalimtar dhe do të vazhdojë sezonin me lojtarët aktualë.
Kjo nënkupton se Camavinga do të mbetet pjesë e skuadrës, përveç nëse mbërrin një ofertë e jashtëzakonshme për të.
Vendimi i Rodrit pritet të ndikojë edhe te Manchester Unitedi, i cili shpresonte të transferonte Aurélien Tchouaménin në rast se Real Madridi do të gjente zëvendësuesin e tij.



