AKB-ja kërkon hetim për fushatat kundër produkteve vendore: “Kush e sulmon ‘Made in Kosovo’, po sulmon ekonominë”

10 gusht 2026 | 12:02

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) është shprehur lidhur me fushatat dhe deklaratat që, sipas saj, dëmtojnë besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, duke kërkuar nga institucionet që të hetojnë çdo dyshim për veprime të organizuara kundër prodhimit “Made in Kosovo”.

AKB-ja ka vlerësuar se kontrollet e produkteve ushqimore janë të domosdoshme, por kërkon që ato të zbatohen në mënyrë të barabartë si për prodhuesit vendorë, ashtu edhe për produktet e importuara.

“Kush po e sulmon prodhuesin vendor? Kush po garanton se produktet e importuara kontrollohen me të njëjtin standard? Dhe pse konsumatori kosovar duhet të ketë më shumë siguri për një produkt që prodhohet në Kosovë se sa për një produkt që vjen nga jashtë?”, është thënë në reagimin e AKB-së. Sipas kësaj organizate, nuk duhet të ketë standarde të dyfishta në kontrollin e produkteve që dalin në treg. “AKB-ja nuk është kundër kontrolleve. Përkundrazi, kontrollet e rrepta janë të domosdoshme për çdo produkt që hyn në tregun e Kosovës. Por kontrolli duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, është thënë në reagimin e AKB-së, duke kërkuar gjithashtu transparencë më të madhe nga institucionet, veçanërisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), lidhur me kontrollet dhe analizat laboratorike.

Në veçanti, AKB-ja ka kërkuar përgjigje institucionale edhe për shqetësimet e ngritura nga prodhuesit vendorë lidhur me përdorimin e qumështit pluhur dhe vajrave bimore.

Më tutje, AKB-ja ka shprehur shqetësim edhe për pretendimet se mund të ketë interesa të caktuara tregtare që synojnë krijimin e mosbesimit ndaj produkteve “Made in Kosovo”. Megjithatë,  AKB-ja ka theksuar se nuk po akuzon askënd pa prova. Sipas AKB-së, konkurrenca në treg duhet të zhvillohet mbi bazën e cilësisë, çmimit dhe standardeve, e jo përmes diskreditimit të prodhuesve vendorë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, është shprehur se dobësimi i prodhimit vendor rrit varësinë e Kosovës nga importi. Ai ka shtuar se marka “Made in Kosovo” duhet të trajtohet si pjesë e fuqisë ekonomike të vendit.

“‘Made in Kosovo’ nuk duhet të sulmohet, denigrohet apo përdoret si objekt fushatash,  duhet të mbrohet, promovohet dhe të bëhet simbol i fuqisë ekonomike të Kosovës”, është shprehur Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari,…