Kryetari i Komisionit parlamentar ukrainas shpjegon pse Ukraina nuk e njeh Kosovën: Krimea, Serbia dhe municioni
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, është shprehur se në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme lidhur me njohjen e Kosovës, por vendimi përfundimtar për këtë çështje i takon presidentit Volodymyr Zelensky.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Kosovës të “Radios Evropa e Lirë”, Merezhko është shprehur se argumentet kundër njohjes së Kosovës lidhen kryesisht me frikën se Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent për pushtimin e territoreve ukrainase, me mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe, deri diku, me municionin serb që përfundon në Ukrainë.
Megjithatë, ai është shprehur se personalisht është skeptik ndaj këtyre argumenteve dhe se njohja e Kosovës nuk do ta shkelte të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo çështje mund të rikthehet në agjendën politike të Kievit pas përfundimit të luftës.
Merezhko është deputet i partisë Shërbëtori i Popullit, forcë politike e lidhur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky ka thënë se shteti i tij nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe ka deklaruar se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.



