Rezultatet e analizave për qumështoren “Vita”: Çfarë u gjet në produkt?
Ministria e Bujqësisë përkatsisht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) ka konstatuar mospërputhje ndërmjet deklarimit dhe përbërjes së disa produkteve të kompanisë “Abrazen L.L.C. – Qumështorja Vita”, përfshirë raste të detektimit të yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës dhe amidonit të padeklaruar, thuhet në raportin e siguraur nga KosovaPress. Të gjeturat janë pjesë e raportit të AUVK-së të datës 10 gusht 2026, të hartuar pas kontrolleve dhe analizave laboratorike të kryera në kuadër të inspektimit për mbikëqyrjen e qumështit dhe produkteve të tij. Sipas tabelës përmbledhëse të analizave, dy mostra të qumështit “My Cow” 3.2 për qind janë vlerësuar “në kundërshtim me deklaracionin”. Për njërën prej tyre, me kod MOS00005733/2026, laboratori ka konstatuar: “Profili i acideve yndyrore tregon praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës”. Raporti thekson se kjo nuk ishte deklaruar në produkt.
I njëjti konstatim është bërë edhe për një mostër tjetër të qumështit UHT “My Cow” 3.2 për qind, me kod MOS00005761/2026. Në të dy rastet, AUVK ka evidentuar se yndyrat bimore dhe vaji i palmës janë detektuar, por nuk kanë qenë të deklaruara.
Mospërputhje është konstatuar edhe te qumështi UHT “Land” 3.2 për qind. Sipas raportit, profili i acideve yndyrore ka treguar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës, ndërsa kjo nuk ishte deklaruar në produkt.
Analizat kanë evidentuar probleme edhe në produkte të tjera. Në tri mostra të “Schmand 18%”, në paketime 180, 400 dhe 800 gramë, është detektuar amidon që, sipas AUVK-së, nuk ishte deklaruar. Amidon i padeklaruar është konstatuar gjithashtu te “Holla Dessert 1 L” dhe “Mushroom Cream Cheese 200 g”.
Raporti evidenton ndërkohë edhe produkte të kompanisë që kanë rezultuar në përputhje. Në mesin e tyre janë “Qumësht Vita 3.2%”, “Djathë i bardhë 100%”, “Jogurt Vita 2.8%”, “Vita Butter Gold 100%”, “My Cow 2.8%” dhe “My Cow 1.5%”. Për disa produkte të linjës “Holla”, prania e yndyrës bimore apo vajit të palmës ishte deklaruar dhe rezultatet janë vlerësuar në përputhje. Gjatë inspektimit në fabrikën e “Abrazen” qumështorja Vita në Istog, AUVK ka konstatuar se operatori posedon aprovim për përpunimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, por nuk ka prezantuar autorizim të veçantë për prodhimin dhe procesimin e produkteve me bazë yndyre bimore dhe proteinë qumështi. Në objekt janë evidentuar dy linja të ndara fizikisht, njëra për produkte me origjinë shtazore dhe tjetra për ato me bazë qumështi pluhur e vaj bimor.
Në depot e kompanisë, inspektorët kanë evidentuar, mes tjerash, rreth 28 tonë qumësht pluhur, tetë tonë proteinë qumështi, 22.5 tonë hirrë dhe rreth 20.3 tonë “palm arrakota – Axia”.
Kontrollet ndaj “Abrazen” ishin pjesë e një aksioni më të gjerë të AUVK-së gjatë periudhës prill-korrik 2026. Në nivel vendi janë marrë 495 mostra, ndërsa 470 prej tyre kanë pasur së paku një rezultat laboratorik të vlerësueshëm. Në 74 mostra, ose rreth 15.7 për qind të atyre të testuara, është konstatuar së paku një mospërputhje ndërmjet deklarimit të produktit dhe rezultatit laboratorik.
Në total janë evidentuar 93 mospërputhje në nivel përbërësi: 46 lidhur me vajin e palmës, 25 me yndyrë ose vaj bimor, 18 me niseshte/amidon dhe katër me qumësht pluhur. Në 85 raste, përbërësi është detektuar në laborator, por nuk ka qenë i deklaruar në etiketë.
AUVK ka rekomanduar vazhdimin e kontrolleve të shtuara te operatorët dhe produktet ku janë identifikuar mospërputhje, verifikimin e deklarimit të përbërësve në etiketa dhe marrjen e mostrave përcjellëse për të kontrolluar zbatimin e masave korrigjuese. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja ka thirrur konferencë për meida sot prej orës 12:00.




