Cakolli: Shkelja e afateve po normalizohet, të paktën 10 deputetë duhet ta dërgojnë çështjen në Kushtetuese

10 gusht 2026 | 14:38

Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se përveç afatit 30-ditor, tashmë po shpërfillet edhe afati 48-orësh i përcaktuar për vazhdimin e procesit.

Cakolli ka thënë se shkelja e afateve po normalizohet nëse ajo nuk pasohet me pasoja juridike.

“Përveçse u shkel afati 30-ditor, tashmë po shpërfillet edhe vetë kufiri 48-orësh, që fillimisht u përdor si mjet për ta shtyrë procesin pas afatit”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.

Sipas tij, kjo situatë e bën edhe më urgjente dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht për shkak të afatit tetëditor për kontestimin e vendimit të Kuvendit.

Ai ka argumentuar se, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese, procesi i konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe fillimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit mbetet pezull.

“Argumenti se kjo do t’i blinte kohë LV-së tashmë e ka humbur kuptimin, sepse koha po fitohet edhe pa Gjykatën, përmes mosveprimit”, ka deklaruar Cakolli.

Cakolli ka ngritur edhe çështjen e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat që janë certifikuar si deputetë.

Sipas tij, ushtrimi i njëkohshëm i këtyre funksioneve është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe, siç pretendon ai, kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.

“Rrjedhimisht, edhe vendimet e tjera të nxjerra prej tyre pas certifikimit janë të kundërligjshme”, ka shkruar Cakolli.

Në fund, ai ka bërë thirrje që së paku dhjetë deputetë ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Të paktën dhjetë deputetë duhet ta dërgojnë sa më parë çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar Cakolli, duke kërkuar që gjykata të përcaktojë pasojat juridike të skadimit të afatit 30-ditor, vlefshmërinë e veprimeve të ndërmarra pas tij dhe nëse duhet të hapet rruga për zgjedhje të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka nisur procesin e bashkëhartimit të Planit…