FFK-ja mban takim me delegatët para edicionit të ri: Mobilizim maksimal për një kampionat të suksesshëm
Në prag të fillimit të edicionit të ri garues 2026/2027, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka mbajtur takimin e rregullt me delegatët e ndeshjeve të Albi Mall Superligës dhe Ligës së Parë. Takimi kishte për qëllim bashkërendimin e punëve, ngritjen e nivelit të organizimit dhe përgatitjen e zyrtarëve për sfidat e edicionit të ri.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka përgëzuar delegatët për punën e bërë deri më tani, ndërsa ka kërkuar mobilizim dhe përgjegjësi maksimale që nga java e parë e kampionatit.
“Jemi në prag të një edicioni të ri garues që kërkon përkushtim absolut nga të gjithë ne. Delegatët janë pasqyra e profesionalizmit dhe e zbatimit të rregulloreve në fushë. Kërkoj nga secili prej jush mobilizim të plotë, vigjilencë dhe korrektësi maksimale në çdo ndeshje, në mënyrë që kampionati të ketë mbarëvajtje shembullore”, ka deklaruar Ademi.
Gjatë takimit, delegati me përvojë ndërkombëtare, Zgjim Sojeva, ka mbajtur një ligjëratë ku ka ndarë përvojat e tij nga ndeshjet ndërkombëtare, me fokus te menaxhimi i situatave komplekse gjatë zhvillimit të një ndeshjeje.
Ndërkohë, zyrtari për Integritet i FFK-së, Gazmend Bojniku, ka folur për integritetin e garave, mbrojtjen e lojës nga çdo ndikim negativ dhe rëndësinë e parandalimit të parregullsive.
“Integriteti i garave është shtylla kryesore e besueshmërisë së futbollit tonë. Si zyrtarë të ndeshjeve, ju keni rolin kyç në ruajtjen e pastërtisë së lojës dhe frymës së ‘Fair Play’-it. FFK mbetet e pakompromis ndaj çdo dukurie negative dhe do të garantojë barazi të plotë për të gjithë pjesëmarrësit”, ka thënë Bojniku.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, dhe administratori i Superligës dhe Ligës së Parë, Agron Shosholli. Ata kanë diskutuar me delegatët për ndryshimet në aktet normative të garave, si dhe për çështje të tjera që lidhen me organizimin dhe mbarëvajtjen e kampionatit të ri.
Pas ligjëratave dhe diskutimeve, delegatët i janë nënshtruar edhe testit të përgatitur për këtë qëllim. Edicioni i ri i garave në Superligë hapet të premten me ndeshjen ndërmjet Feronikelit 74 dhe Gjilanit.



