Mourinho zbulon kontratën e fshehtë me Manchester Unitedin: Firmosa, por i thashë jo Fergusonit
Jose Mourinho ka zbuluar se në vitin 2013 kishte nënshkruar kontratë për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit pas pensionimit të Sir Alex Fergusonit, por më pas hoqi dorë nga marrëveshja për shkak të lidhjes së tij me Chelsean.
Rrëfimi është bërë në dokumentarin e tij të ri në Netflix, ku Mourinho ka treguar për herë të parë një nga episodet më të panjohura të karrierës së tij.
Pas largimit nga Real Madridi në vitin 2013, Mourinho ishte shumë pranë rikthimit në Premierligë, por këtë herë në stolin e Manchester Unitedit. Sipas tij, marrëveshja ishte nënshkruar dhe ai pritej të pasonte Fergusonin.
“Kur u largova nga Real Madridi, firmosa me Manchester Unitedin – për të shkuar te Manchester Unitedi pas Sir Alex Fergusonit”, ka treguar Mourinho.
Vetë Ferguson e ka konfirmuar në dokumentar se Mourinho ishte zgjedhur për ta pasuar atë.
“Atij iu ofrua puna, po. E ula dhe i shpjegova situatën. Për sa më përkiste mua, ai po e pranonte. Dhe më pas gjithçka ndryshoi. Në mbrëmje herët, ai më telefonoi dhe po qante. Më tha: ‘Alex, nuk mund ta marr përsipër – i kam dhënë fjalën time Chelseat dhe nuk do ta thyej fjalën time’”, ka rrëfyer Ferguson.
Mourinho ka thënë se e kishte ndier si një nder të madh ofertën e Manchester Unitedit, por në fund vendosi të respektonte lidhjen e tij me Chelsean.
“Mendoj se kjo është më e fuqishme se dashuria për futbollin dhe, në thelb, pas Real Madridit, kisha nevojë të ndieja se më donin. Për mua, humbja e mundësisë për të qenë trajneri që do të pasonte Sir Alex Fergusonin ishte dramatike, por nuk jam penduar, sepse ishte një vendim që e mora me zemër”, ka deklaruar ai.
Portugezi u rikthye te Chelsea në vitin 2013 dhe arriti të fitojë titullin e Premierligës dhe Carabao Cup në periudhën e dytë në klub. Megjithatë, aventura e tij përfundoi në vitin 2015, pas një serie rezultatesh të dobëta.
Mourinho më pas e mori drejtimin e Manchester Unitedit në vitin 2016, duke zëvendësuar Louis van Gaalin. Në sezonin e parë fitoi Carabao Cup dhe Ligën e Evropës, ndërsa një sezon më vonë e udhëhoqi Unitedin drejt vendit të dytë në Premierligë.
Ai u shkarkua në dhjetor të vitit 2018 dhe më pas drejtoi Tottenhamin, Romën, Fenerbahçen dhe Benficën, përpara rikthimit te Real Madridi këtë verë.



