39-vjeçari Jamie Vardy lidhet me një rikthim befasues në futbollin anglez
Jamie Vardy mund të rikthehet në futbollin anglez, vetëm pak javë pasi u largua nga Cremonese si lojtar i lirë.
Sulmuesi 39-vjeçar u largua nga skuadra italiane në fund të qershorit, pasi realizoi shtatë gola në 29 paraqitje. Pavarësisht përpjekjeve të tij, Cremonese nuk arriti ta siguronte mbijetesën në Serie A.
Vardy nuk ka ndërmend të pensionohet dhe synon të vazhdojë karrierën profesionale edhe për të paktën një sezon tjetër.
Fillimisht ai u lidh me një rikthim te Sheffield Wednesday, klubi i fëmijërisë së tij, i cili tashmë garon në League One pas rënies nga Championship. Megjithatë, Vardy e ka përjashtuar këtë mundësi.
“Me pak fjalë, jo. Është një nga ato gjëra. Gjithmonë kam thënë se, sapo u largova, ai kapitull ishte mbyllur. Kështu jam unë. Nuk ishte e destinuar të ndodhte dhe, për këtë arsye, nuk do të ndodhë kurrë”, ka thënë Vardy në podcastin e tij “Jamie Vardy’s Having A Party”.
Sulmuesi anglez është parë gjithashtu duke kryer kontrollet mjekësore në qendrën stërvitore të Leicester Cityt, por edhe rikthimi te ish-klubi i tij duket i pamundur. Me Leicesterin, Vardy shkroi historinë duke fituar titullin e Premierligës në vitin 2016.
Sipas Sky Sports News, skuadra që ka shfaqur interes konkret për shërbimet e tij është West Ham, që aktualisht garon në Championship. Klubi londinez po monitoron situatën e Vardyt, ndërsa trajneri Nuno Espirito Santo dëshiron të afrojë një tjetër sulmues qendror para mbylljes së afatit kalimtar.
Interesi i West Hamit vjen në një moment kur klubi po lidhet edhe me ish-sulmuesin e Tottenhamit, Troy Parrott, i cili aktualisht luan për AZ Alkmaar.
West Hami ka në dispozicion edhe Pablo dhe Taty Castellanos, të cilët iu bashkuan klubit për një shumë të kombinuar prej rreth 45 milionë paundësh. Të dy ishin titullarë në fitoren 3-1 ndaj Portsmouthit në Carabao Cup.
Një tjetër alternativë në sulm është kapiteni Jarrod Bowen, i cili së fundmi e ka konfirmuar të ardhmen e tij te klubi duke nënshkruar kontratë të re.
Trajneri Nuno Espirito Santo ka pranuar se West Hami ka identifikuar objektivat e merkatos, por ka theksuar se klubi nuk dëshiron të marrë vendime të nxituara.
“Nuk kemi shumë kohë, por nuk duam të bëjmë gabime. Është thelbësore që lojtarët që vijnë të jenë të duhurit, ndaj po marrim kohën tonë për t’u siguruar që ta bëjmë siç duhet”, ka deklaruar Nuno.



