ShIQK-u padit Mujën dhe AVUK-un: Dëmet ndaj qumështoreve dhe fermerëve janë të mëdha
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (ShIQK) ka bërë të ditur se ka nisur padi ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK), për dëmet që, sipas saj, u janë shkaktuar qumështoreve dhe fermerëve vendorë.
Kryetari i ShIQK-ut, Gani Durmishi, në një prononcim për “Kosovapress”, ka thënë se sektori i industrisë së qumështit ndodhet në gjendje të rëndë.
Ndërsa ka akuzuar institucionet përkatëse se, me vendimet dhe veprimet e ndërmarra, u kanë shkaktuar dëme të mëdha prodhuesve vendorë. “Jemi në telashe të mëdha si sektor i industrisë së qumështit të Kosovës. Fushata të cilën e ka bërë Ministria e Bujqësisë dhe Tregtisë na ka bërë dëm të jashtëzakonshëm, të nivelit të pariparueshëm, neve si industri, njëkohësisht edhe fermerëve. Ky kokë më vete i qiti disa ligje, e propozoi një vendim dhe menjëherë na dërgoi inspektorat në fabrika. Këtu thotë 60 ditë duhet me i kontrollua që me marrë pëlqimin pastaj nga ministria. Inspektorët e ardhur menjëherë na kanë lëshuar një procesverbal, na kanë ndërprerë prodhimin”, ka thënë Durmishi.
Sipas tij, masat kanë prekur edhe eksportin dhe shitjen e produkteve të industrisë vendore të qumështit. “Të gjitha eksportet e prodhimeve të Kosovës që janë, me ndërhyrje janë ndërprerë dhe nuk janë lejuar të eksportohen. Ka dërguar edhe inspektorë në markete, që të hiqen të gjitha produktet nga raftet në markete. Kjo ka qenë shumë e papritur dhe na ka bërë një dëm jashtëzakonisht të madh. Na ka dëmtuar edhe me propagandën se gjoja në Kosovë po prodhohet diçka që është kancerogjene, pa një bazë studimore, të cilën mundet me na e pru një dokument”, ka thënë ai.
Durmishi ka bërë të ditur se qumështoret janë duke evidentuar dhe kalkuluar dëmet e shkaktuara nga tërheqja dhe bllokimi i produkteve në treg.
Ai ka thënë se një pjesë e produkteve rrezikon t’i kalojë afati i përdorimit, ndërsa ka kritikuar mungesën e komunikimit nga institucionet.
Durmishi ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihet një zgjidhje me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Tregtisë, punëtorët e industrisë së qumështit dhe fermerët mund të organizojnë protesta.
Sipas ShIQK-ut, procedurat ligjore synojnë ndalimin e vendimit përmes masave të përkohshme, ndërsa shoqata është duke përgatitur dokumentacionin dhe argumentet për dëmet që pretendon se u janë shkaktuar kompanive dhe fermerëve vendorë.



