Kearns: Evropa t’i “luftojë” lidhjet Serbi-Rusi-Kinë, Britania qëndron përkrah Kosovës
Deputetja britanike, Alicia Kearns, nuk ka ngurruar t’i komentojë zhvillimet e fundit rreth Kosovës, pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër. Në një postim në “X”, ajo i është referuar shkurt e qartë reagimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ndaj këtij plani të Serbisë, duke shkruar: “Kjo është diplomaci”.
Në cilësinë e mbështetëses së Kosovës dhe këmbëngulëses që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e rreptë ndaj Serbisë, e cila, sipas saj, nuk resht së punuari për shfuqizimin e shtetit më të ri në Evropë, Kearns ka dhënë një intervistë për “Kosovapress”.
Në përgjigjet e dhëna me shkrim, deputetja, e cila ishte ndër politikanet e para ndërkombëtare që kishte ngritur zërin për armatosjen e serbëve në veri, shumë kohë para sulmit në Banjskë, ka folur për afrimin e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, për rrezikun nga krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe për raportin aktual të Kosovës me strukturat euroatlantike dhe vendet aleate.
“Shpresoj sinqerisht se Serbia një ditë do ta njohë Kosovën. Fatkeqësisht, nuk kam parë asnjë dëshmi se qeveria aktuale do ta bëjë këtë. Komentet e fundit të ministrit serb Paunoviq, që promovojnë dhe glorifikojnë spastrimin etnik, dëshmojnë për një mendësi që vazhdon të ekzistojë te disa politikanë serbë. Do ta paralajmëroja çdo vend evropian kundër marrëdhënieve më të afërta me Partinë Komuniste të Kinës. Në fakt, rregullisht i bëj thirrje qeverisë sime të ndërmarrë veprime për t’iu kundërvënë veprimeve armiqësore nga Kina, përfshirë represionin transnacional, vjedhjen e pronësisë intelektuale, subvencionet shtetërore që shtrembërojnë tregun dhe madje spiunazhin në Parlamentin britanik. Çdo mbështetje apo bashkëpunim me Rusinë pas pushtimit të paligjshëm dhe brutal të Ukrainës duhet të dënohet pa asnjë hezitim”, ka thënë Kearns.



