Konjufca pret në takim zyrtarë të lartë shqiptarë nga Mali i Zi
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e Malit të Zi për Politikë Ekonomike dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, si dhe kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj. Takimi është zhvilluar gjatë vizitës së Gjeloshajt dhe Nimanbegut në Kosovë, në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve.
Gjatë takimit është diskutuar për pozitën dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të Zi, rolin e tyre në jetën politike dhe institucionale, si dhe zhvillimet me rëndësi për komunitetin shqiptar.
Konjufca ka vlerësuar se faktori shqiptar ka qenë dhe mbetet një forcë e rëndësishme në orientimin euroatlantik dhe zhvillimin demokratik të Malit të Zi.
Në fokus të bisedës kanë qenë edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat janë vlerësuar si marrëdhënie të mira fqinjësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim. Mali i Zi është cilësuar si partner i rëndësishëm i Kosovës në proceset e integrimit evropian.
Në ditën e tretë të Konferencës së IX të Ambasadorëve, Gjeloshaj dhe Nimanbegu kanë marrë pjesë edhe në panelin kushtuar integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe rolit të faktorit shqiptar në këtë proces.
Vizita dhe takimi janë zhvilluar në frymën e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe mbështetjes së rolit të shqiptarëve në zhvillimet politike, institucionale dhe eurointegruese të Malit të Zi.



