GLPS-ja: Vendimmarrja e qeverisë në detyrë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin

13 gusht 2026 | 11:54

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur “shqetësim serioz” për vendimet e qeverisë në detyrë në mbledhjen e mbajtur më 12 gusht.

Përmes një komunikate për media, GLPS-ja i ka cilësuar vendimet të kundërligjshme, pasi shumica e anëtarëve të qeverisë në detyrë janë betuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Në rrethanat aktuale, vazhdimi i ushtrimit të kompetencave ekzekutive është i papranueshëm dhe ngre çështje serioze të ligjshmërisë së vendimmarrjes së Qeverisë në detyrë”, thuhet në komunikatë.

GLPS-ja ka theksuar se, bazuar në Nenin 72 të Kushtetutës, Nenin 26 të Ligjit për Qeverinë dhe Aktgjykimin e Gjykatës Supreme P.A.nr.09/2025, ndalohet ushtrimi i njëkohshëm i funksionit të deputetit dhe anëtarit të qeverisë.

“Këto kufizime nuk mund të anashkalohen përmes interpretimit politik, por janë garanci të drejtpërdrejta të parimit të ndarjes së pushteteve dhe të funksionimit të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve”, ka theksuar GLPS-ja.

Më 6 gusht 2026, GLPS i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit me kërkesë për dokumentacionin që dëshmon nëse anëtarët e qeverisë në detyrë, të zgjedhur deputetë, kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ministrore.

Sipas GLPS-së, sot shënohet dita e shtatë dhe e fundit e afatit ligjor për përgjigje, ndërsa organizata pret që ZKM-ja ta përmbushë detyrimin ligjor dhe të sigurojë transparencë mbi këtë çështje.

GLPS ka theksuar gjithashtu se dorëheqja nga një funksion publik nuk mund të jetë vetëm një akt formal në letër, pa ndërprerjen faktike të ushtrimit të atij funksioni.

“Nëse një person ka dhënë dorëheqje nga posti i anëtarit të qeverisë për të respektuar kufizimin kushtetues dhe ligjor, kjo dorëheqje duhet të prodhojë efekt real. Nuk mund të pretendohet se një funksion është ndërprerë, ndërkohë që personi vazhdon të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë që burojnë nga ai funksion”, ka deklaruar GLPS-ja.

GLPS-ja ka vlerësuar se vendimmarrja e Qeverisë në detyrë është e kundërligjshme dhe nuk mund të normalizohet.

Organizata u ka bërë thirrje anëtarëve të Qeverisë që të jenë plotësisht transparentë dhe llogaridhënës ndaj publikut lidhur me dorëheqjet e tyre dhe statusin juridik që rrjedh prej tyre.

Në fund, GLPS-ja ka kërkuar që qeveria në detyrë të përmbahet nga çdo veprim që tejkalon kompetencat e saj dhe të respektojë në mënyrë strikte kufizimet që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bujar Haradinaj, ka kujtuar…