Dorëzohet në Polici Sherif Ramuka për rastin e sulmit ndaj F.Z.
Një konflikt familjar lidhur me marrjen e fëmijëve ka eskaluar në një incident serioz të dielën mbrëma në Han të Elezit, ku një person me inicialet F.Z., rreth 55-vjeç, nga Gjilani, dyshohet se është sulmuar nga tre persona. Ngjarja ka ndodhur më 9 gusht, rreth orës 19:55, në rrugën “Isen Suma” në Han të Elezit. Fillimisht, dyshohet se është dëmtuar vetura e F.Z.-së, ndërsa më pas ai dyshohet se është sulmuar fizikisht.
Për rastin dyshohen Endrit Ramuka, rreth 21-vjeç, Shemsedin Ramuka, rreth 43-vjeç, dhe Sherif Ramuka. Sipas informacioneve të siguruara nga “Epoka e Re”, F.Z. kishte shkuar në Han të Elezit për t’i marrë fëmijët e djalit të tij, i cili ishte divorcuar rreth një vit më parë nga vajza e familjes Ramuka. Kujdestaria e fëmijëve i ishte besuar nënës, ndërsa, sipas raportit, prindërit kishin një marrëveshje që fëmijët, kohë pas kohe, ta takonin edhe babanë. Megjithatë, ardhja e F.Z.-së te shtëpia e familjes Ramuka dyshohet se ka përfunduar me përplasje. Sipas të dhënave të rastit, rruga dyshohet se i është bllokuar me një veturë, ndërsa më pas F.Z. dyshohet se është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit, duke pësuar lëndime trupore.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Endrit Ramuka është ndaluar për 48 orë, ndërsa Shemsedin Ramuka është liruar në procedurë të rregullt. I dyshuari i tretë, Sherif Ramuka, i cili sipas informacioneve të rastit dyshohet të ketë pasur rol në këtë incident, ndodhej në arrati. Rasti po hetohet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Arratisje e personit të privuar nga liria”. Ndërkohë, sipas informacioneve të fundit, Sherif Ramuka është dorëzuar sot në Polici. Tash pritet vendimi i Prokurorit të Shtetit lidhur me masën që do të merret ndaj tij. Të gjitha personat e përmendur në këtë tekst konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.



