Shabani: Hapësirat publike në Gjakovë do të lirohen, ligji vlen njësoj për të gjithë

27 shtator 2026 | 00:05

Drejtori i Drejtorisë për Inspektime në Komunën e Gjakovës, Ervin Shabani, ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të vazhdojë lirimi i hapësirave publike nga kioskat që ushtrojnë veprimtari pa leje apo pa kontrata të vlefshme për shfrytëzimin e pronës komunale.

Shabani ka theksuar se zbatimi i ligjit do të jetë i njëjtë për të gjithë dhe ka mohuar pretendimet se largimi i kioskave është bërë në mënyrë selektive.

“Hapësirat publike do të lirohen. Ligji vlen njësoj për të gjithë!

Gjatë javës së kaluar kemi larguar kioskat që ishin duke ushtruar veprimtari në pronën komunale pa kontratë të vlefshme me Komunën për shfrytëzimin e hapësirës.

Pretendimet se kioskat janë larguar në mënyrë selektive janë të pavërteta. Ka mbetur vetëm një kioskë për t’u larguar nga prona komunale. Për shkak të reshjeve të shiut gjatë ditës së premte, largimi i saj është shtyrë për javën e ardhshme.

Kjo kioskë është e plombuar nga Inspektorati dhe më 22.09.2026 i është ndërprerë energjia elektrike. Që nga ajo ditë, ajo nuk ushtron veprimtari.

Sa u përket hapësirave të tjera publike, Inspektorati i Shërbimeve Publike do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme me procedurat për lirimin e tyre, si pjesë e punës që po zhvillohet vazhdimisht për mbrojtjen e pronës publike dhe zbatimin e ligjit.

Këto hapësira po lirohen për t’i dhënë fund shfrytëzimit pa kontrata të vlefshme dhe për të larguar pengesat që vështirësojnë qarkullimin e automjeteve, lëvizjen e këmbësorëve dhe dukshmërinë në rrugë. Lirimi i tyre do t’u hapë rrugë edhe projekteve për zgjerimin e rrugëve dhe trotuareve, si dhe ndërtimin e vendparkingjeve të reja.

Drejtoria për Inspektime po kryen detyrën e saj dhe këtë punë do ta vazhdojmë me vendosmëri, pa përjashtime dhe pa privilegje. Prona publike u përket të gjithë qytetarëve dhe askush nuk është mbi ligjin!

I ftoj të gjithë ta përkrahin zbatimin e ligjit!”, ka deklaruar drejtori i Drejtorisë për Inspektime në Komunën e Gjakovës, Ervin Shabani.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në Shkup, të dielën më 27 shtator, do të mbahet…