Hamza: Pas qëndrimit të LDK-së, Kurti i ka numrat për ta konstituar Kuvendin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se pas qëndrimit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka numrat dhe votat e nevojshme për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të vendit, raporton Ekonomia Online.
Hamza, pas fjalimit të tij në sallën e Kuvendit, në një konferencë për media ka thënë se PDK-ja nuk e ka kontestuar rezultatin zgjedhor dhe se nga kjo parti nuk ka pengesë për krijimin e institucioneve.
Ai ka thënë se përgjegjësia tashmë është te Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
“Ne si parti opozitare nuk e kemi kontestuar rezultatin zgjedhor, edhe pse kemi thënë me fakte që zgjedhjet kanë qenë të lira, por jo të ndershme, është abuzuar paraja publike. Procesi zgjedhor, fshehtësia e votës, ka qenë e cenuar. E kemi pranuar rezultatin zgjedhor. Nuk ka pengesë prej neve, është e kundërta, ne po themi: ejani, të përfundojmë me rezultatin zgjedhor, krijoni institucionet, mbani premtimet në Kuvendin e Qeverisë, zgjidhni presidentin, dhe tash pas qëndrimit të fundit të LDK-së, numrat janë të qarta, i kanë numrat, i kanë votat”, ka thënë ai.
Hamza ka thënë se tash është në dorën e Kurtit nëse do të krijojë institucionet apo do ta mbajë vendin në atë që e ka quajtur “vakuum institucional”.
“Po ky vend edhe ky vendi ynë, votuesi, rezultati zgjedhor e ka për detyrim, e ka mundësinë që Lëvizja Vetëvendosje, zoti Kurti, t’i bëjë institucionet apo ta mbajë vendin në vakuum institucional, me mungesë stabiliteti politik, e përmbi të gjitha me shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe suspendim të Kushtetutës. Kushtetutshmëria e këtij vendi duhet të kthehet”, ka thënë Hamza.
I pyetur nëse PDK-ja do të qëndrojë në sallën e Kuvendit në rast se propozohet një emër konsensual për president, Hamza ka thënë se kjo parti do ta luajë rolin e saj si subjekt opozitar, duke përmendur kritikat, alternativat dhe përkrahjen për çështje që janë në interes të vendit.
“Zoti Kurti nuk do bashkëpunim, nuk do partneritet, do nënshtrim. Partia Demokratike e Kosovës, bazuar në gjithë këto fakte, ka ardhur në qëndrimin e saj i cili është i qartë, është i drejtë, është zëri i faktit. Ne do ta luajmë rolin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si parti opozitare me kritika, me alternativa, po edhe me përkrahje çështje të rëndësishme për interesin e vendit. Edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare, edhe tema tjera të cilat janë në dobi dhe në interes të Kosovës dhe qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.
Hamza ka kritikuar Kurtin për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet procesi i konstituimit të institucioneve, duke thënë se vendi po përballet me shkelje të rendit kushtetues dhe mosrespektim të vendimeve gjyqësore.
“Mirëpo, nuk ka situatë më serioze, nuk mund të ketë situatë më serioze sesa suspendimi i rendit kushtetues, se mosrespektimi i rregullores së punës së Kuvendit, se mosrespektimi i vendimeve të gjykatave duke përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Supreme. Nuk mundesh me thënë në të njëjtën kohë edhe deputet, edhe ministër, edhe kryeministër. Asnjë pengesë rrugën e drejtë të konstituimit të institucioneve nuk e ka pasur”, ka thënë ai.



