Gërvalla: Zgjedhjet e përsëritura po e humbin kuptimin, duhet të gjejmë zgjidhje
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se qeveria po synon një marrëveshje me opozitën për tejkalimin e krizës politike dhe shmangien e bllokadave të mëtejshme e të zgjedhjeve të reja. Ajo ka theksuar se qytetarët tashmë e kanë shprehur vullnetin e tyre dhe se partitë duhet të gjejnë një zgjidhje për një president konsensual.
Gërvalla ka thënë se këtë herë pushteti ka vendosur t’i dëgjojë shqetësimet e opozitës dhe të dakordohen paraprakisht për çështjet kryesore, me qëllim që të shmangen ngecjet dhe bllokadat institucionale.
“Sinqerisht, askush në vendin tonë nuk është dhe nuk do të duhej të ishte i interesuar që të shkojmë në zgjedhje të reja, sepse përsëritja e vazhdueshme e zgjedhjeve sinqerisht po e humbet kuptimin e vet. Qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë të përsëritur e kanë shprehur vullnetin e tyre, e kanë kryer detyrën e tyre dhe prandaj është e domosdoshme që të merremi vesh me njëri-tjetrin edhe të gjejmë një zgjidhje për një president konsensual edhe me presidentin konsensual të ecim përpara”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka shprehur optimizëm se do të gjendet një zgjidhje, pavarësisht kundërshtimeve politike, duke theksuar se vendi duhet të vazhdojë reformat dhe proceset institucionale.
Gërvalla ka bërë thirrje për seriozitet nga të gjitha partitë, duke thënë se zgjedhjet e përsëritura nuk janë zgjidhje dhe se qytetarët kërkojnë tejkalimin e krizës.
Ajo ka shpresuar se LDK-ja do të kontribuojë në zgjedhjen e një presidenti konsensual, ndërsa ka thënë se, pavarësisht refuzimit të ofertës së LVV-së nga kjo parti, ekziston ende bazë për të gjetur një marrëveshje.
Duke folur për veprimet e opozitës në Kuvend, Gërvalla ka thënë se politika duhet të zhvillohet përmes mjeteve që i shërbejnë një kauze të qartë dhe ka bërë thirrje që palët të ulen në tavolinë e të diskutojnë për zgjidhje.
Në fund, Gërvalla ka përsëritur se mbetet optimiste se partitë politike do të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e krizës dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.



