METUSH KRASNIQI – LARGPAMËSIA E NJË ORGANIZATORI TË ÇËSHTJES KOMBËTARE

20 gusht 2026 | 09:41

Referat i mbajtur nga Shefik Sadiku me rastin e 100-vjetorit të lindjes së heroit të kombit, Metush Krasniqi.

Në njëqindvjetorin e lindjes së Metush Krasniqit, përkujtimi i tij nuk mund të kufizohet vetëm në nderimin e një atdhetari që sakrifikoi lirinë dhe jetën për idealin kombëtar. Një shekull pas lindjes së tij, Metush Krasniqi duhet parë edhe si organizator dhe mendimtar politik me largpamësi, i cili çështjen shqiptare e konceptonte si organizim, bashkim forcash dhe projekt për çlirimin e bashkimin e trojeve shqiptare.
I lindur më 19 gusht 1926 në Dajkoc, në familjen e Asllan dhe Qershife Krasniqit, Metushi u rrit në një mjedis ku kujtesa historike dhe atdhedashuria përcilleshin brez pas brezi. Në formimin e tij ndikoi tradita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, prej së cilës mori mësimin se ideali kombëtar kërkon program, organizim dhe bashkim.
Kësaj trashëgimie iu shtua tradita familjare. Babai i tij, Asllan Krasniqi, bashkëluftëtarët e tij dhe figura e Rexhep Shemë Dajkocit ushqyen tek ai bindjen se liria ishte detyrim ndaj atdheut. Në formimin e tij la gjurmë edhe veprimtaria e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, me figura si Ajet Gërguri, Gjon Serreçi e të tjerë.
Por tipari që e dalloi Metush Krasniqin ishte aftësia për të kaluar nga ideali te organizimi.
Si mësues, ai punoi jo vetëm për arsimimin e nxënësve, por edhe për ngritjen kulturore e kombëtare të popullit. Ndërkaq, gjatë viteve pesëdhjetë, themeloi Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë. Hartoi programin politik, traktet e proklamatat, simbolikën dhe madje skicën e organizimit të formacionit Ushtarak. Pra, idealin kombëtar e mendonte si program, strukturë dhe veprim.
Rreth tij u bashkuan Sejdi Kryeziu, Qemajl Kallaba, Mark Gashi, Mehmet Ajeti, Mehmet Nuredini e shumë të tjerë. Veprimtaria dhe lidhjet e tij shtriheshin përtej Anamoravës, në Kosovë, në Shkup dhe në viset e tjera shqiptare.
Edhe ngjarjet e vitit 1968 dëshmojnë vazhdimësinë e këtij angazhimi. Sipas dëshmive të bashkëveprimtarëve, Metush Krasniqi dhe Ismajl Dumoshi patën rol të rëndësishëm në konceptimin politik të kërkesave të demonstratave, në lidhje me Hasan Dërmakun, Osman Dumoshin e të tjerë. Në frymën e këtij angazhimi vepruan edhe familja e tij, Bashkëshortja, Havisha djemt, Xhevati e Mitati, vajzat, Lulja dhe Teuta, Vëllai Osmani, nipat, Nevzadi, Nexhati dhe Hasan Krasniqi.
Një nga dëshmitë më të fuqishme të aftësisë bashkuese të Metushit mbetet takimi i vitit 1974 në shtëpinë e tij në Dajkoc. Aty u mblodhën Adem Demaçi, Mulla Ramë Govori, Hyrije Hana, Ahmet Haxhiu, Selman Ramadani, Fehmi Bajrami, Sylë e Hazir Krasniqi, Ilmi Ramadani, si dhe të rinjtë Emin e Besnik Krasniqi (djali i Metushit).
Vetë përbërja e këtij takimi dëshmon filozofinë politike të Metushit: dallimet ideologjike, krahinore apo të brezave nuk duhej të bëheshin pengesë për interesin kombëtar. Synimi ishte afrimi i energjive atdhetare rreth një platforme të përbashkët politike kombëtare.
Pikërisht këtu merr peshë të veçantë vlerësimi i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës shqiptare që kaloi rreth tri dekada në burgjet jugosllave. Demaçi e cilësonte Metushin “më trimin, më largpamësin e më atdhetarin ndër ne”, ndërsa me një përcaktim që përmbledh gjithë filozofinë e tij politike, e quante “promotor të bashkimit të popullit tonë”.
Largpamësia e Metush Krasniqit dëshmohet edhe nga vazhdimësia që krijoi. Fryma e tij u përcoll te Emin dhe Besnik Krasniqi, të lidhur më vonë edhe me organizimin Albanikos, te pjesëtarë të tjerë të familjes e të rrethit të tij dhe deri te nipi Kushtrim Krasniqi, pjesëmarrës në demonstratat e viteve nëntëdhjetë.
Kështu krijohet një zinxhir domethënës: nga brezi i Asllan Krasniqit dhe Rexhep Dajkocit, te Metushi; nga Metushi e bashkëveprimtarët e tij te brezi i vitit 1968; nga takimi i Dajkocit tek organizimet e mëvonshme dhe te gjeneratat e reja të rezistencës kombëtare, te Demonstratat e vitit ’81 dhe gjeri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës e Çlirimi i saj nga pushtuesit Jugosllavo/Serb.
Metush Krasniqi u burgos dhe u përndoq vazhdimisht. Burgosja e fundit, më 4 nëntor 1985, u shoqërua me tortura të rënda. Më 15 tetor 1986 ai ndërroi jetë, por dhuna nuk arriti ta mposhtte idealin e tij.
Sot, njëqind vjet pas lindjes së tij, vepra e Metush Krasniqit na lë një mësim të madh:
Liria kërkon guxim, por shtetndërtimi kërkon edhe dije, organizim, largpamësi, bashkim dhe vazhdimësi ndërmjet brezave.
Metush Krasniqi e kuptoi se çështja kombëtare nuk mund të ishte vepër e një individi apo e një brezi. Prandaj kërkoi njerëz, ndërtoi lidhje, hartoi programe dhe bashkoi energji.
Ai nuk ishte vetëm pjesë e një lëvizjeje. Ishte një nga njerëzit që dinte ta krijonte, ta organizonte dhe t’ua përcillte atë brezave.
Prandaj, në njëqindvjetorin e lindjes së tij, e kujtojmë për idealin që nuk e braktisi, për njerëzit që bashkoi dhe për brezat që frymëzoi.
E kujtojmë si mësuesin, veprimtarin, organizatorin, bashkuesin dhe largpamësin.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kombit, Metush Krasniqi!
Shefik Sadiku,
Dardanë, 19 gusht 2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar se janë gjetur mbetjet…