BDI-ja e Ali Ahmetit kërkon zgjedhje të reja në Maqedoninë e Veriut

20 gusht 2026 | 11:52

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Në një reagim për media, partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti ka deklaruar se opozita është e gatshme të shkojë në zgjedhje, duke përshëndetur edhe gatishmërinë e kryeministrit Hristijan Mickoski për zgjedhje të parakohshme, nëse një gjë të tillë e kërkon opozita.

“E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik. Qeveria e humbi legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione”, ka deklaruar BDI-ja.

Partia e Ali Ahmetit ka kërkuar që deklarata e kryeministrit të pasohet menjëherë me veprime konkrete.

“Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar BDI-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, nga foltorja e Kuvendit ka…