Ramadani: Do t’i ekspozojmë shkeljet zinxhirore që po ndodhin në Kosovë

20 gusht 2026 | 11:55

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se do të ekspozohen, siç i ka quajtur ai, “shkeljet zinxhirore” që po ndodhin në Kosovë gjatë situatës që e cilësoi si jok kushtetuese.

Ramadani ka thënë se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe në interes të Kosovës, duke iu referuar edhe betimit të deputetit.

“Do të ekspozojmë shkeljet zinxhirore tashmë që po ndodhin në Kosovë, gjatë kësaj gjendjeje jokushtetuese. Mos harroni, sot dy javë, pra më 6 gusht, ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës kemi dhënë një betejë. Dhe më lejoni shumë shkurtimisht disa prej pikave kryesore të betimit t’i them, dhe pastaj t’i analizojmë se cilat janë shkeljet e betimit të deputetit. Betohem se me nder e përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin. Do të punoj në interes të Kosovës, do të angazhohem në mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka kritikuar bllokimin e punës së Kuvendit dhe largimin e deputetëve nga salla plenare, duke pretenduar se këto veprime janë në kundërshtim me betimin e deputetit.

“Dhe shihni, ju lutem, bllokimi i Kuvendit dhe ikja nga salla plenare e Kuvendit nuk kanë as nder e as përkushtim. Kështu sikurse po bëjnë, nuk po e kryejnë detyrën e tyre për të cilën janë betuar si deputetë. Populli voton deputetët për t’i përfaqësuar, dhe këta nuk po e përfaqësojnë popullin duke ikur nga salla e Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, deputetët e Vetëvendosjes po dështojnë, sipas tij, në përmbushjen e disa prej pikave kryesore të betimit të deputetit.

“Ndërsa angazhimi për mbrojtjen e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë realisht është angazhim i kundërt, pra ka angazhim për shkeljet e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë së Kosovës. Kështu, lejoni t’i përsëris katër shkeljet themelore të betimit të deputetit që po bën Lëvizja Vetëvendosje: 1) nder e përkushtimi, 2) kryerja e detyrës së deputetit, 3) përfaqësimi i popullit me dinjitet dhe 4) angazhimi për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë”, ka deklaruar Ramadani.

“Pra, që dy javë nga data 6 gusht, për çdo ditë ka shkelje të betimit të deputetit nga ana e LV-së”, ka përfunduar ai. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Partia Demokratike…