Vuçiqi i shkruan Ruttes për urën e Ibrit: S’duhet të hapet, s’është arritur asnjëherë marrëveshje
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përmes së cilës ka kërkuar që NATO-ja të mos lejojë hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një videoadresim, Vuçiq ka pretenduar se gjatë viteve të fundit në Kosovë ka pasur, sipas tij, “përndjekje dhe terror të pandërprerë” ndaj qytetarëve serbë, duke akuzuar Bashkimin Evropian, NATO-n dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë se po heshtin për këto zhvillime.
Ai ka pretenduar gjithashtu se gjatë pesë viteve të fundit kanë ndodhur rreth 800 sulme me motive etnike ndaj serbëve në Kosovë dhe se 257 persona janë arrestuar, duke pretenduar se ata janë keqtrajtuar.
“Sapo i kam dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin së fundmi pata një bisedë të rëndësishme në margjinat e samitit të Parisit. I kam kërkuar dhe i kam bërë thirrje që NATO-ja të mos lejojë hapjen e urës mbi Ibër”, ka deklaruar Vuçiqi.
Sipas presidentit serb, edhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë me komandantin e KFOR-it, ku është kërkuar që ura të mos hapet.
Vuçiqi ka pretenduar se çështja e urës ka qenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se, sipas tij, për hapjen e saj nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
“Ka qenë gjithmonë çështje e dialogut dhe për këtë nuk është arritur asnjëherë marrëveshje”, ka thënë ai.
Ai ka lidhur çështjen e urës edhe me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke pretenduar se moszbatimi i këtyre çështjeve ka ndikuar në tensionet e vazhdueshme në Kosovë.
“Prandaj i kam dërguar letër Mark Rutte-s dhe i kam kërkuar që të heqin dorë nga mbështetja për një vendim të tillë të autoriteteve të Prishtinës”, ka deklaruar Vuçiqi.
Presidenti serb ka thënë se pret që Rutte ta marrë parasysh rëndësinë e paqes dhe stabilitetit rajonal, ndërsa ka paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë politikisht hapjen e urës.
Vuçiqi nuk e ka përjashtuar as mundësinë që Serbia të kërkojë një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Kosovës.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur çështja e hapjes së urës kryesore mbi Ibër mbetet një prej temave të ndjeshme në veri të Kosovës dhe në raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës, komunitetit serb dhe misionit të NATO-s në Kosovë.



