Nasim Haradinaj paralajmëron eskalim të situatës nëse liderët e UÇK-së dënohen më 16 shtator

20 gusht 2026 | 14:18

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka paralajmëruar për një përshkallëzim të situatës në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut në rast se Gjykata Speciale i shpall fajtorë krerët e UÇK-së më 16 shtator.

Në një lidhje direkte në emisionin “Kosova Live” në “T7”, Haradinaj ka deklaruar se një aktgjykim dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të shkaktojë reagime të forta në hapësirën shqiptare.

“Jo Kosova, por krejt Shqiptaria ka me u kallë flakë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka përmendur edhe paralajmërimet se disa persona në Kosovë mund ta festojnë një vendim eventual dënues, duke thënë se një reagim i tillë mund të ketë pasoja.

“Anipse disa po mendojnë edhe me festu, por ata që do të festojnë ato ditë, besoj që do të kallen në qatë zjarr”, është shprehur ai.

Haradinaj ka thënë se ka dëgjuar individë që kanë deklaruar se do të festojnë nëse ish-krerët e UÇK-së dënohen.

“Por unë po them, nëse merret ai vendim, do të rrotullohet… Unë mendoj që do të eskalojë çështja shumë keq dhe do të digjet flakë ky vend, do të digjet flakë Maqedonia, do të digjet flakë Shqiptaria”, ka deklaruar ai.

Duke folur për trupin gjykues në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Haradinaj ka pretenduar se gjyqtarët duhet ta kenë parasysh ndikimin që mund të ketë një vendim i tillë.

“Gjyqtarët nuk mund të marrin vendime të cilat e trazojnë një vend”, ka thënë ai.

Verdikti ndaj krerëve të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë. Deklaratat e Haradinajt paraqesin vlerësimin e tij për pasojat e mundshme të një aktgjykimi dënues dhe nuk përbëjnë konfirmim se do të ndodhë një përshkallëzim i tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se i ka…