Cakolli kritikon RTK-në: S’duhet ta pëlqesh Hashim Thaçin që intervista e tij të konsiderohet lajm
Analisti Eugen Cakolli ka kritikuar Radio Televizionin e Kosovës (RTK) për mosraportimin, sipas tij, të intervistës së fundit të ish-presidentit Hashim Thaçi para shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Cakolli ka thënë se intervista e një ish-presidenti të Kosovës, veçanërisht para një vendimi të rëndësishëm gjyqësor, duhet të konsiderohet lajm pavarësisht qëndrimeve personale ndaj Thaçit.
“S’duhet ta pëlqesh Hashim Thaçin që deklarimet e tij në intervistën e fundit të një ish-Presidenti të Kosovës para aktgjykimit t’i konsiderosh lajm”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka kritikuar veçanërisht transmetuesin publik, duke e cilësuar si indikative mungesën e raportimit për intervistën.
“E megjithatë, aq sa ishte interesante e domethënëse vetë intervista, edhe më indikative është qysh disa media, e sidomos transmetuesi publik, nuk paskan gjetë ende vend as për një artikull, mes lajmeve për gjithçka tjetër”, ka shkruar ai.
Cakolli ka lënë të kuptohet se pret që RTK-ja ose media të tjera të raportojnë për intervistën në vazhdim.
“Nejse, presim deri nesër. Hiç, hiç, deri dikur besoj del ndonjë video a postim, të paktën prej ndonjë (wanna-be) ‘gazetari’ ja ‘opinionisti’ tjetër, brenda ose jashtë vendit”, ka shkruar Cakolli.



