Zelensky kërkon 30 miliardë euro nga BE-ja për mbrojtjen e Ukrainës

24 gusht 2026 | 14:28

Ukraina pret 30 miliardë euro nga Bashkimi Evropian (BE) për të financuar mbrojtjen e vendit. Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, ka deklaruar para gazetarëve në Kiev se këto mjete nevojiten për mbrojtjen e gjithë vendit.

Sipas Zelenskyt, buxheti i mbrojtjes aktualisht përballet me një hendek prej rreth 23 miliardë eurosh. Mjetet nevojiten për pagat e ushtarëve, dëmshpërblimet për familjet e të rënëve, si dhe shpenzime të tjera të lidhura me luftën.

Ukrainës i nevojiten gjithashtu mjete për prodhimin e dronëve.

“Kërkohet një shumë e konsiderueshme. Për këtë çështje po punoj me francezët dhe gjermanët”, ka thënë Zelensky.

Zelensky njofton përparime në terren

Presidenti ukrainas ka folur edhe për zhvillimet në front, duke pretenduar se që nga fillimi i vitit forcat ukrainase kanë rimarrë rreth 820 kilometra katrorë territor.

Sipas tij, rajoni i Dnipropetrovskut tashmë është pothuajse tërësisht nën kontrollin ukrainas, me rreth 10 kilometra katrorë dhe tri vendbanime që ende nuk janë nën kontrollin e plotë të Kievit. Këto të dhëna nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Zelenski ka pranuar se Rusia ka pushtuar rreth 990 kilometra katrorë territor ukrainas që nga fillimi i vitit. Ai ka shprehur besimin se forcat ukrainase do të rimarrin edhe zona të tjera deri në fund të vitit.

Presidenti ukrainas ka përjashtuar sërish mundësinë e dorëzimit vullnetar të Donbasit, të cilin Moska e ka kërkuar si kusht për armëpushim.

Zelenski kundërshton zgjedhjet gjatë luftës

Çështja e organizimit të zgjedhjeve gjatë luftës ka shkaktuar debat në Ukrainë.

Zelenski e ka kundërshtuar kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve gjatë luftës, duke thënë se një proces i tillë do ta përçante vendin.

“Zgjedhjet në këtë moment do të ishin si një cunam për shtetin dhe do ta përçanin Ukrainën”, ka thënë ai.

“Prandaj strategjia ime është ta udhëheq vendin deri në fund të luftës dhe të ruaj një shtet të pavarur e sovran”, ka shtuar presidenti ukrainas.

Ndërkohë, ish-ministri i Mbrojtjes, Mihajlo Fedorov, ka kërkuar që të gjendet një mekanizëm ligjor dhe i sigurt për organizimin e zgjedhjeve, pavarësisht luftës.

“Demokracia nuk duhet të mbahet peng nga Rusia”, ka thënë Fedorov.

Vështirësitë për organizimin e zgjedhjeve

Organizimi i zgjedhjeve në kohë lufte do të përballej me një sërë vështirësish praktike, përfshirë mënyrën e votimit të ushtarëve në front, miliona refugjatëve ukrainas jashtë vendit dhe qytetarëve në territoret e pushtuara nga Rusia.

Zelenski ka theksuar gjithashtu rrezikun e dezinformimit rus dhe ka thënë se deri tani askush nuk ka paraqitur një mënyrë të qartë se si mund të zhvillohen zgjedhje të sigurta në këto kushte.

Që nga nisja e pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, në Ukrainë është në fuqi ligji i luftës, i cili pezullon mbajtjen e zgjedhjeve. Mandati i rregullt i Zelenskit si president përfundoi në maj të vitit 2024.

Sipas një sondazhi të zhvilluar në korrik dhe gusht nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, vetëm 15 për qind e të anketuarve kanë mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve para përfundimit të luftës.

“Koalicioni i të vullnetshmëve” diskuton ndihmën për Ukrainën

Ndërkohë, “Koalicioni i të vullnetshmëve”, grupi i shteteve që mbështetin ushtarakisht Ukrainën, pritet të mblidhet sërish të hënën.

Takimi zhvillohet në format hibrid dhe përkon me Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Në të merr pjesë edhe Zelensky.

Bisedimet pritet të përqendrohen në forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe në vijimin e punës për garancitë e sigurisë, të cilat synojnë të kontribuojnë në një paqe të qëndrueshme në rast të arritjes së një armëpushimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka…