Provat e Speciales: Kaq para mori Fatmir Sheholli nga institucionet serbe për spiunazh

25 gusht 2026 | 16:27

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, të cilin e ngarkon për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Dosja prej 80 faqesh përmban prova të ndryshme materiale që, sipas Prokurorisë, e lidhin Shehollin me veprimtarinë për të cilën akuzohet.

“Klan Kosova” ka siguruar dokumentin e plotë të aktakuzës, ku përshkruhen dyshimet se Sheholli ka zbatuar një plan të përgatitur nga Bojan Dimiç, zyrtar i Shërbimit Informativ të Serbisë, me qëllim të dëmtimit të interesave të Kosovës.

Në mesin e provave të përfshira në dosje janë edhe pagesat mujore që Sheholli dyshohet se ka marrë nga institucione shtetërore të Serbisë.

“Nga dëshmia A#21 rezulton se i pandehuri Fatmir Sheholli, gjatë vitit 2015, ka pranuar në mënyrë të rregullt pagesa mujore në llogarinë e tij në Komercialna Banka A.D. Beograd nga dy institucione shtetërore të Republikës së Serbisë, përkatësisht Agjencia Shtetërore e Lajmeve ‘Tanjug’ në shumën totale prej 386.000 dinarësh dhe ‘Kancelarija za Kosovo i Metohija’ në shumën prej 295.000 dinarësh, apo gjithsej 681.000 dinarë”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, këto pagesa periodike nga institucione shtetërore serbe, të cilat në dosje ndërlidhen me BIA-në, së bashku me provat e tjera, dëshmojnë për financimin dhe angazhimin e Shehollit në interes të një shteti të huaj.

“…konkretisht nga Serbia dhe në ndërlidhje me provat e tjera të rastit vërtetohet edhe përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka ndërmarr veprimtari spiunazhi në dobi të BIA-së e në dëm të interesave të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Rasti është në procedurë gjyqësore, ndërsa pretendimet e Prokurorisë do të vlerësohen nga gjykata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur Mehdi Mehmeti, një prej figurave të respektuara të…