Prokuroria jep detaje për rastin në Prizren: 81-vjeçari dyshohet se ushtroi dhunë ndaj gruas
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka dhënë detaje lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur më 26 gusht në Prizren.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës dhe po hetohet si vrasje e rëndë brenda familjes.
Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari B.D., 81-vjeçar, dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, pasi paraprakisht dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur brenda familjes.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka njoftuar se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht motivin dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.



