Serbia tërheq ekipin 3×3, shmanget përballja me Kosovën
Serbia ka vendosur ta tërheqë ekipin e saj nga gara e basketbollit 3×3 në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke bërë që të mos zhvillohet përballja e planifikuar me Kosovën. Organizatorët kanë njoftuar për ndryshime në orarin e garave pas tërheqjes së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nga turneu i basketbollit 3×3.
Për shkak të këtyre ndryshimeve, orari i mëparshëm i transmetimeve është zëvendësuar me një version të ri.
Tërheqja e Serbisë ka marrë vëmendje të veçantë në Kosovë, pasi të dyja përfaqësueset ishin shortuar në të njëjtin grup dhe duhej të përballeshin më 29 gusht.
Megjithatë, deri tani nuk është dhënë ndonjë arsye zyrtare që tërheqjen e Serbisë ta lidhë drejtpërdrejt me Kosovën. Pavarësisht kësaj, vendimi ka ngritur pikëpyetje për shkak të kohës dhe rrethanave në të cilat është marrë.
Serbia edhe në të kaluarën ka shmangur përballjet me Kosovën në disa gara sportive, ndërsa në raste të tjera ka kërkuar që shorti të mos i vendoste dy përfaqësueset në të njëjtin grup.
Me tërheqjen e ekipit serb, ndeshja Kosovë-Serbi në basketbollin 3×3, e paraparë për 29 gusht, nuk do të zhvillohet. Vëmendja tashmë është edhe te boksi, ku Donjeta Sadiku pritet të përballet me rusen me pasaportë serbe, Kristina Kuhulova, në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë për femra.
Sadiku synon medaljen e artë në “Taranto 2026”, ndërsa kjo përballje sjell një tjetër rast ku një përfaqësuese e Kosovës përballet me një sportiste me lidhje me Serbinë.



