Merimanga nuk do të veprojë më pa urdhër të Inspeksionit, ndryshohen rregullat për parkingjet në Prishtinë
Komuna e Prishtinës ka propozuar ndryshime në rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve, dokument i cili tashmë është dërguar në konsultim publik. Ndryshimet synojnë rregullimin e disa çështjeve që lidhen me pagesën e parkingut, menaxhimin e hapësirave publike dhe procedurat për bllokimin apo bartjen e automjeteve, shkruan Kujdestari.info.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me shërbimin e “merimangës” dhe bllokimin e automjeteve. Sipas propozimit të ri, bllokimi dhe debllokimi i veturave do të bëhet vetëm me urdhëresë të Drejtorisë së Inspeksionit Komunal, ndërsa N.P.L. “Prishtina Parking” do të ketë vetëm rol mbështetës teknik dhe logjistik. Po ashtu, bartja dhe zhvendosja e automjeteve do të bëhet vetëm me urdhër të Inspeksionit Komunal. (Dokument)
Ndryshime parashihen edhe në mënyrën e pagesës së parkingut. Komuna propozon që qytetarëve t’u ofrohen më shumë alternativa, përfshirë pagesën përmes aplikacioneve mobile, kartelave bankare, platformës online të ndërmarrjes dhe pagesës me para të gatshme përmes operatorëve të kontraktuar. “Prishtina Parking” do të obligohet që në çdo zonë të ketë së paku dy mënyra funksionale të pagesës.
Një tjetër ndryshim i propozuar është që në rast të mosfunksionimit të pajisjeve për pagesë, kjo të konsiderohet si pamundësi objektive për pagesë dhe të mos rezultojë me tarifa shtesë për qytetarët.
Rregullat për parkingjet rezidenciale gjithashtu ndryshojnë. Sipas propozimit, hapësirat rezidenciale do të shfrytëzohen nga banorët e adresës përkatëse të regjistruar pranë “Prishtina Parking”, ndërsa përdoruesit tjerë do të mund t’i shfrytëzojnë ato vetëm deri në orarin e përcaktuar nga ndërmarrja.
Komuna ka propozuar edhe masa më të qarta për shkeljet në parkingje. Në rastet e parkimit pa pagesë apo parkimit të parregullt parashihet gjobë prej 30 eurosh, ndërsa parkimi në trotuar, hapësira të gjelbra apo sheshe mund të dënohet me gjoba deri në 100 euro.
Po ashtu, për operatorët privatë të parkingjeve pa leje parashihet gjobë nga 150 deri në 1 mijë euro, ndërsa në rast përsëritjeje mund të urdhërohet mbyllja e parkingut.
Dokumenti do të jetë në konsultim publik nga 25 gushti deri më 24 shtator 2026, ndërsa diskutimi publik për ndryshimet në rregullore është planifikuar të mbahet më 16 shtator në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës.



