IQMT-ja: Marketet po respektojnë udhëzimet për ndalimin e produkteve të papërshtatshme të qumështit
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se marketet në vend po respektojnë udhëzimet për ndalimin e shitjes së produkteve të qumështit të identifikuara si të papërshtatshme për konsum.
Sipas IQMT-së, ky konstatim është bërë pas vazhdimit të kontrolleve nëpër markete, lidhur me produktet e qumështit që janë identifikuar si të mospërputhshme në raportet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Kontrollet janë zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë dhe Fushë Kosovë, me fokus në verifikimin e zbatimit të udhëzimeve për ndalimin e shitjes së produkteve të dyshimta ose të papërshtatshme për konsum.
IQMT-ja ka bërë me dije se rezultatet e kontrolleve tregojnë se operatorët ekonomikë po i zbatojnë udhëzimet e inspektoratit dhe po i largojnë nga shitja produktet e identifikuara si të papërshtatshme për konsum, në përputhje me raportet e AUV-it.
Inspektorati ka theksuar se kontrollet do të vazhdojnë me qëllim të garantimit të respektimit të rregullave dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Në njoftim është vënë në pah edhe rëndësia e rolit të konsumatorëve në identifikimin dhe raportimin e parregullsive në treg.
“Konsumatorët mbesin pjesë e rëndësishme e këtij procesi, duke raportuar çdo parregullsi apo dyshim lidhur me produktet në treg përmes platformës Viber, në numrin e dedikuar për ankesa: +383 (0) 46 311-000”, thuhet në njoftimin e IQMT-së.



