Pretendimet e Vuçiqit rreth verdiktit të Hagës për Hashim Thaçin: Do të jetë kryesisht vendim lirues
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pretenduar se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, i planifikuar për 16 shtator, do të jetë “kryesisht një vendim pafajësie”.
Vuçiqi ka deklaruar se, sipas informacioneve që pretendon se ka marrë, Thaçi mund të dënohet vetëm për vepra që ai i cilësoi si “krime të lehta”, ndërsa dënimi, sipas tij, mund të jetë i barabartë me kohën që Thaçi ka kaluar tashmë në paraburgim.
“Kam marrë vesh se shpallja e vendimit për Hashim Thaçin është planifikuar për më 16 shtator dhe, me sa kuptoj, ai do të jetë kryesisht një vendim pafajësie”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka shtuar se Perëndimi, sipas tij, dëshiron të krijojë narrativën se Serbia është fajtore për krimet e luftës, duke pretenduar se krimet ndaj serbëve janë lënë në plan të dytë.
Megjithatë, deklaratat e Vuçiqit për rezultatin e procesit gjyqësor mbeten pretendime të tij, pasi vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale pritet të shpallet më 16 shtator.



