Dështon përpjekja për shkarkimin e Driton Selmanajt

28 gusht 2026 | 22:56

Iniciativa për shkarkimin e tij, e mbështetur nga lidershipi i kryetarit Lumir Abdixhikut, dështoi të premten, konstatoi Komisioni Ad-Hoc i themeluar për shqyrtimin e kërkesës për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të kësaj dege.

Komisioni, i përbërë nga katër anëtarë, i dha fund përpjekjes për shkarkimin e Selmanajt nga pozita e kryetarit për shkak të mosplotësimit të kushteve statutare.

Sipas raportit të komisionit, numri i nënshkrimeve të delegatëve nuk ka qenë i mjaftueshëm për përmbushjen e kushteve të përcaktuara në Statutin e LDK-së për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm.

Për thirrjen e kuvendit nevojiten 32 nënshkrime të delegatëve, pra 1/3 e 96 delegatëve të degës gjithsej.

Kërkesa, fillimisht kishte mbërritur në Degën e LDK-së në Prizren me 37 nënshkrime. Por, në momentin e dorëzimit të listës, dy delegatë janë tërhequr me pretendimin se ishin vendosur në lajthitje rreth qëllimit të kësaj nisme nga iniciuesi i saj.

Deri më sot, edhe tetë delegatë të tjerë të Degës së LDK-së në Prizren tërhoqën nënshkrimet e tyre. Kërkesa humbi mbështetjen nga 37, në 19 delegatë – duke i bërë të pamundura kushtet për thirrjen e kuvendit. Kësisoj, Komisioni e hodhi poshtë kërkesën si të papranueshme.

“Komisioni ad-hoc vlerëson që kërkesa për thirrjen e Kuvendit të Jahstëzakonshëm të Degës së LDK-së në Prizren të konsiderohet e papranueshme për shkak të mosplotësimit të kriterit staturor të numrit të nevojshëm të delegatëve nënshkrues, të përcaktuar me nenin 43.3 të Statutit të LDK-së”, thuhet në raport.

Në arsyetimin e tyre për tërheqjen e nënshkrimeve, disa prej delegatëve kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se nënshkrimet e tyre do të përdoreshin për inicimin e një procedure për shkarkimin e Selmanajt.

Një pjesë e tyre kanë pretenduar se u është thënë se nënshkrimet nevojiteshin për një mbledhje të zakonshme të degës dhe jo për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm me qëllim shkarkimin e kryetarit.

Me këtë vendim, Driton Selmanaj do të vazhdojë të jetë në krye të Degës së LDK-së në Prizren.

Nisma për largimin e tij nga kjo pozitë shihet si akt “hakmarrës” i kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili i shpëtoi këtë vit dy votëbesimeve në kuvendet e jashtëzakonshme të partisë. I fundit më 27 korrik.

Selmanaj ka qenë ndër zërat kritikë ndaj Abdixhikut, ndërsa më herët kishte kërkuar edhe dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, u ka bërë thirrje…